E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani bankierëve: Merrni masa për 2009-n

20/12/2008  Guvernatori i BSH-së: Kriza globale do të ndihet vitin tjetër

Bankat e nivelit të dytë duhet të marrin masat e duhura për të rritur besimin e publikut, por mbi të gjitha për të ruajtur zhvillimin ekonomik në vend. Ata duhet të mos shpërndajnë fitimet, por të ruajnë kapitalin, si dhe të jenë më aktivë në tregun e parasë duke krijuar likuiditetin e nevojshëm. Deklaratat kreu i institucionit mbikëqyrës bankar i bëri gjatë një takimi të organizuar nga shoqata e bankave me pjesëmarrjen e bankave të nivelit të dytë që operojnë në tregun shqiptar. Madje guvernatori Ardian Fullani deklaroi se kriza globale financiare do të sjellë shumë të papritura gjatë vitit 2009 në vendin tonë.

Problemet

Nëse bankat marrin masa për të përmirësuar infrastrukturën e tyre do të fitojnë besimin e publikut. “Viti 2009 do të jetë një vit i vështirë e për rrjedhim, çdokush duhet të marrë masat për të kuptuar drejt dhe për të interpretuar me profesionalizëm rolin e tij. Baza të shëndosha të kësaj infrastrukture do të vlerësoja përmirësimin e shërbimit ndaj klientelës, shtimin e komunikimit dhe edukimit të publikut. Të gjitha këto, të shoqëruara me investime në teknologji do të mundësonin transparencë më të madhe me klientelën dhe kosto më konkurruese shërbimi”, - theksoi zoti Fullani. Siguria e tregut bankar do të thotë edhe një siguri më shumë në zhvillimin ekonomik të vendit. “Vendi ynë gjendet përpara një viti me shumë të panjohura. Nuk do të doja të anashkaloja faktorët e brendshëm, por ka kohë që agjencitë e ndryshme parashikojnë një vit me kontraktim të prodhimit të përgjithshëm botëror. Do të ishte utopike dhe deri diku shprehje e mungesës së kujdesit, nëse do të mendonim se ekonomia jonë do të preket shumë pak apo aspak nga kriza globale. Vendi ynë, megjithëse një ekonomi e vogël, është i hapur me lidhje të shumta shkëmbimesh të mallrave dhe fondeve financiare”, - nënvizoi në fjalën e tij Fullani.

Situata

Viti që po lëmë pas sipas Fullanit u përqendrua në ruajtjen dhe konsolidimin e stabilitetit makroekonomik të vendit, si dhe qëndrueshmërisë financiare të sistemit bankar. “Sistemi bankar shfaqet fitimprurës. Treguesi i kthimit mbi aktivet për gjithë vitin 2008 pritet të jetë 1.17 për qind, ndërkohë që treguesi i kthimit mbi kapitalin të jetë 14,7 për qind. Niveli i mjaftueshmërisë së kapitalit përbën 17.5 për qind të totalit të aktiveve dhe zërave jashtë bilancit të klasifikuara sipas rrezikut”, - tha Fullani. Treguesi i aktiveve likuide ndaj totalit të sistemit, pavarësisht tendencës rënëse prezantohet në rreth 46 për qind, vlerë kjo që konsiderohet e kënaqshme. Depozitat nga klientët, vit pas viti kanë konsoliduar prirjen në rritje dhe në fund të tetorit totali i depozitave të sistemit ishte 665.9 miliardë lekë ose 5.7 për qind më shumë se fundi i vitit 2007. Gjithsesi, Banka e Shqipërisë do të vijojë forcimin e kontrollit të brendshëm në bankat dhe degët e bankave të huaja ashtu siç është vepruar gjatë gjithë këtij viti.

Kreditimi

Rritja e kredisë çon në mbajtjen e ritmeve aktuale të aktivitetit ekonomik të vendit, sipas guvernatorit. “Një tkurrje e kredisë për ekonominë, mbart rrezikun e veprimit të anasjelltë, të eklipsimit të kontributit të kredisë për ekonominë nga shpenzimet e sektorit publik”, - tha ai, duke insistuar sërish në kërkesën për të vazhduar me ritmin e kreditimit të ekonomisë.

Dividendët

Banka e Shqipërisë është duke studiuar disa masa për t’i paraprirë funksionimit të sistemit bankar. “Për të qenë më konkret ne do të kërkojmë që dividendët e materializuar në vitin 2008, të destinohen për të rritur kapitalin e bankave që ju drejtoni”, - tha Fullani. Sistemi ynë sipas guvernatorit, është i mirëkapitalizuar, por rritja e mëtejshme e tij është masë kujdesi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›