E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet afati për faturat aforfe

15/01/2010  Klientët familjarë do të paguajnë energjinë pa fatura deri më 30 prill 2010
Enti i Energjisë publikon tabelën që OSSH-ja duhet të zbatojë sipas rretheve
Konsumatorët e energjisë elektrike që nuk janë pajisur me matësa do të paguajnë çmim aforfe deri më 30 prill të këtij viti. Vendimi është marrë nga Enti Rregullator i Energjisë në dhjetor të vitit 2009 dhe është publikuar në mes të muajit janar. Sipas sasisë së harxhuar të dhënat e faturimit aforfe janë paraqitur në tabelat bashkangjitur. Ndërkaq, faturat e janarit do të kushtojnë më shtrenjtë pasi kanë hyrë në fuqi zyrtarisht tarifat e reja të energjisë për konsumatorët. Kështu në Tiranë qytet një familje, e cila nuk është pajisur me matës do të paguajë deri në 400 kilovat orë energji aforfe, e cila do të faturohet me çmimin prej 7,7 lekë për kilovat për 300 kilovatët e parë dhe 13,5 lekë për kilovat për 100 kilovatët e tjerë. Këto çmime janë të përcaktuara edhe nëse familja harxhon një sasi më të madhe se kaq.
Vendimi për aforfetë
Me anën e vendimit të datës 22 dhjetor të vitit të kaluar ERE-ja ka përcaktuar se klientëve familjarë të energjisë elektrike nuk mund t’u aplikohet më vonë se prilli i këtij viti faturimi aforfe, pra pa matës. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes në faturimet për muajin janar, shkurt, mars dhe prill do të zbatojë tabelat për 39 rrethet dhe fshatrat e përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë. “Sasia e energjisë elektrike e faturimit aforfe për klientët familjarë pa matës të energjisë elektrike, sipas vendimit, ndarë sipas rretheve do të jetë e njëjtë me atë të 28 janarit të vitit 2008”, - thuhet në vendim. Ky afat i aplikimit të faturimit aforfe, sipas vendimit, do të shtohet në licencën e aktivitetit të shpërndarjes së OSSH-së, të dhënë me vendim të Bordit të Komisionerëve nr. 114 datë 1.10.2008. Ekspertët e OSSH-së presin që të kenë afërsisht 20 mijë – 25 mijë lidhje të reja në vit. Sipas tyre, pjesa e mbetur 2 për qind deri në 3 për qind e klientëve pa matës janë klientët tipikë, që kanë lidhje me zonat që historikisht kanë pasur një rrjet sekondar shumë të varfër (tensioni i ulët), ku instalimi i matësve duhet të ndjekë një rikonstruksion të plotë të lidhjeve, p.sh linja kabllore të reja/linja ABC, kabllot për lidhjen me klientin dhe bokset (kutitë) për matësit. “Ky është një nga problemet kryesore që bën të pamundur instalimin e menjëhershëm të matësve”,- shprehen ekspertët e kompanisë.
Tarifat e reja
Rritja e çmimit të energjisë elektrike, sipas ekspertëve të ERE-s, nuk do të prekë pjesën më të madhe të familjeve shqiptare. Kjo pasi ERE-ja ka vendosur të ruajë bllokun ndarës për konsumatorët familjarë prej 300 kilovat orë. Në këtë mënyrë, është llogaritur se rreth 71 për qind e familjeve nuk konsumojnë energji elektrike më shumë se kjo sasi. Çmimi i ri i energjisë për të gjithë qytetarët që konsumojnë energji nën 300 kilovat orë do të jetë 7.7 lekë për kilovat orë nga 7 lekë që kanë paguar deri tani. Por nëse konsumojnë mbi 300 kilovat orë atëherë çmimi do të tarifohet me 13.5 lekë për kilovat orë nga 10 lekë që është aktualisht.
Për pajisjen me matësit
Kompania çeke 12 milionë euro investim çdo muaj
Deri në fund të muajit shkurt sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës kompania CEZ pronarja e re e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes do të pajisë me matës të gjithë qytetarët e vendit. Për këtë arsye, investitori çek po investon çdo muaj deri në 12 milionë euro për të blerë këto pajisje. Burimet zyrtare të METE-s kanë theksuar se pajisja e të gjithë abonentëve me matës dhe zhdukja e faturimit afrofe do të bëhet brenda afateve. “Kompania CEZ po investon çdo muaj 10-12 milionë euro investim për blerjen e matësve dhe çdo muaj instalohen 10 - 15 mijë matës në të gjithë vendin. Deri në fund të shkurtit, do të instalohen të gjithë matëset”,- kanë deklaruar burimet e METE-s. Sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës që prej muajit qershor- korrik kur kompania CEZ mori në administrim Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes e deri tani, janë investuar më shumë se 60 milionë euro për të përmirësuar rrjetin e shpërndarjes në të gjithë vendin. Këto investime do të rrisin cilësinë e shërbimit për konsumatorët, por edhe synojnë të përmirësojnë treguesit kryesorë siç janë arkëtimet dhe humbjet. “Humbjet e energjisë në pak muaj janë ulur me 3 për qind, ndërkohë që arkëtimet kanë shënuar rritje. Kompania ka investuar deri tani mbi 60 milionë euro dhe parashikon të dalë me fitim vetëm pas tre vjetësh”,- kanë deklaruar burimet zyrtare të METE-s.
Abuzimet
Drejtues të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes kanë deklaruar se kanë hartuar një listë ku janë identifikuar të gjithë konsumatorët që do të çohen në gjykatë dhe më pas do të jenë të detyruar të paguajnë të gjitha detyrimet e tyre. Grupet e punës po verifikojnë në terren kontratat me çdo konsumator dhe matësin përkatës. Nga kontrollet fillimisht në zonën e Bathores janë konstatuar 1 mijë abonentë që kanë probleme me matësit. Rreth 7 për qind e tyre kishin ndërhyrë te matësit, 15 për qind kishin ndërhyrë në rrjet dhe 7 për qind e merrnin energjinë nga komshiu ose e lidhnin direkt në rrjet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›