Shiste drogë te shkolla,"burg pa afat" të riut
TIRANE - "Burg pa afat" ishte masa e sigurisë që vendosi dje Gjykata e Tiranës për adoleshentin Elvis Kusta, i arrestuar nën aku-zën e shitjes së lëndëve narkotike në mjediset shkollore. Sipas Pro-kurorisë, nga hetimet paraprake ka rezultuar se Kusta është prangosur pasditen e katër ditëve më parë pranë gjimnazit "Partizani", ndërsa i është gjetur në xhep një sasi prej 4 gramë hashash. Ndërsa pas kontrollit të ushtruar në banesën e tij, policia gjeti edhe një sasi tjetër prej 40 gramësh, lëndë narkotike të njëjtë, si dhe një sasi prej rreth 37 mijë lekësh që dyshohet se është përfituar nga shitja e narkotikëve. Sipas Prokurorisë, 18-vjeçari ndiqej prej disa kohësh nga agjentët e antidrogës, pasi dyshohej të ishte një nga shpërndarësit e narkotikëve në këtë zonë.
Pas kësaj prokurori kërkoi mbylljen e tij në qeli deri në përfundim të hetimeve, ndërsa vetë i pandehuri dhe mbrojtësi i tij një masë më të lehtë sigurie. Kusta dhe avokati i tij pohuan në gjykatë se kishin dyshime se lënda që iu kap atij në xhep të ishte narkotik, për faktin se ai e kishte gjetur në rrugë dhe e kishte marrë ngaqë i kishte tërhequr vëmendjen për shkak të ambalazhit. Pas kësaj ai tha se e kishte çuar në shtëpi ende pa e ditur se çfarë ishte lënda që ndodhej brenda qeses. Pas kësaj adoleshenti me origjinë nga Fieri dhe banues në Tiranë, mohoi të ishte përfshirë në shitjen e narkotikëve në mjediset shkollore. Pas vendosjes së masës së sigurisë, i pandehuri dhe mbrojtja pohuan se do e apelonin atë. fa.ma.