E Diel, 1 Nëntor 2026

Shitësit ambulantë pushtojnë shkollat, nxënësit pre e ushqimeve nëpër qeska plasmasi

Prindërit dhe mësuesit: Shitësit e ushqimeve të shpejta rrezikojnë seriozisht shëndetin e fëmijëve

,a href="/images/stories/sociale/tezga.jpg" rel="shadowbox"> Ushqimet e çastit që shiten në territorin e shkollave, apo edhe në rastet më flagrante edhe në brendësi të tyre, janë kthyer tashmë në rrezik serioz për nxënësit. Situata higjieno-sanitare është jashtë çdo standardi në pjesën më të madhe të kioskave apo subjekteve

që pa u shqetësuar nga askush shesin mu në cep të rrugës aty ku mund të kalojnë me vërtik automjetet. Përpos kësaj persona të cilët mesa duket mbajnë familjet e tyre më shitjet e produkteve të shumta si, ëmbëlsira, apo produkte të konservuara që kushedi se që kur janë prodhuar, nuk stepen të shesin edhe në korridorin e brendshëm të shkollës apo në afërsi të koshave të stërmëdha me mbeturina. Sipas një vëzhgimi kryer nga gazeta SOT ditën e djeshme pikërisht në zonën e luksit, mu në qendër të bllokut ambulantët duket sikur kanë pushtuar ambientet shkollore duke shitur në to produkte nga më të ndryshmet, të prodhuara me brumëra ose pa to. Madje nuk mungojnë as rastet kur ambulantët kanë krijuar pa e vrarë mendjen fastfudin në katin e parë të shkollës, duke tregtuar aty ushqimet e çastit të cilat janë jashtë çdo standardi higjieno-sanitar. Edhe pse në këto minidyqane, mijëra nxënës konsumojnë ushqim të shpejtë, ditët e fundit nuk kanë munguar as incidentet të cilat kanë të bëjnë me helmimin nga këto ushqime të pakontrrollura. Elda HysenBeu një prej prindërve të nxënësve të shkollës Edit Durham tha ditën e djeshme për gazetën se rreth tre ditë më parë, fëmija i saj është helmuar për shkak se ka konsumuar një ëmbëlsirë nga dyqani i shkollës. Sipas kësaj qytetareje këto dyqane ose subjekte pranë shkollave duhet të mos lejohen të shesin produkte brumërash të cilat nuk dihen se ku prodhohen por transportohen edhe në kushte skandaloze. Por këtë fakt e përforcojnë edhe vetë mësuesit e shkollave të cilët thonë se në shumë raste produktet që shiten në këto kioska të sajuara e pa kontroll jenë burim sëmundjesh, pikërisht për shkak të mungesës së kushteve higjieno-sanitare.


Tregjet
Nuk janë më pak të rrezikshëm edhe tregjet në kryeqytet të cilët duket sikur janë në kushtet më të vështira këto dy vitet e fundit. Këtë e pohojnë për gazetën vetë ambulantët të cilët protestojnë se nga organet shtetërore nuk u është dhënë asnjë ndihmë. Sipas këtyre ambulantëve të cilët shesin produkte të shumta që prej fruta perimeve por edhe qumështit, e nën produktet e tij sidomos në tregun e fruta perimeve në zonën Vasil Shanto kushtet e shitjes janë skandaloze. Por nga ana tjetër edhe kontrollet e inspektoratit të higjienës të cilët ditët e fundit ka ndërmarrë një aksion për inspektimin në tregje nuk duket se ka sjellë dobi. Sërish ambulantët shesin në kushte tepër problematike të cilat në këto ditë të nxehta kanë rrezik i hapur për qytetarët.


Kontrollet
Në prag të sezonit të verës specialistët e Higjienës kanë intensifikuar kontrollet në subjektet që tregtojnë mallra ushqimore për konsumatorët. Në veçanti, sipas specialistëve po kontrollohen ato subjekte që tregtojnë akullore, ëmbëlsira, por edhe ato që shesin produkte bulmeti. Këto kontrolle janë shtrirë pothuajse në të gjitha tregjet e Tiranës, të cilat sipas specialistëve ende nuk janë në parametrat e duhur higjieno-sanitare për tregtimin e mallrave ushqimore. Specialistë nga Inspektorati Sanitar Shtetëror, kanë deklaruar se janë duke vazhduar kontrollet në të gjitha tregjet dhe subjektet që shesin produkte në kryeqytet, por deri më tani nuk janë evidentuar shkelje dhe probleme. Por një tjetër pikë që specialistët bëjnë apel është fakti që edhe konsumatorët duhet të bëjnë kujdes dhe të ruajnë veten duke blerë në ambiente që tregtojnë produkte ushqimore të sigurta dhe të pastra. Por nga ana tjetër, specialistë të Drejtorisë së Higjienës sqarojnë se është detyrë e Policisë Bashkiake që të mos lejojë që shitësit ambulantë të ushtrojnë aktivitetin në rrugët e Tiranës, duke shkelur të gjitha parametrat e higjienës.

Arta AGOLLI

Last Updated on E Marte, 25 Maj 2010 22:15

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›