E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitja e Canës, tifozët turq revoltë ndaj klubit

TIRANE-Transferimi i Lorik Canës te Lacio, që duket shumë pranë zyrtarizimit, ka revoltuar tifozët e Gallatasarajit, që i kanë dërguar një letër proteste këshillit administrativ të klubit turk. Duke parë avancimin e tratativave, aq sa mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka "prenotuar" numrin "19" të klubit roman, mbështetësit e skuadrës më të madhe turke kanë kërkuar që ai të mos shitet. Tifozët e kanë konsideruar Canën si mishërim të traditave luftarake që ka Gallatasaraji, por edhe trajneri i saj Fatih Terim. "Pasi kemi mësuar se Lorik Cana është tashmë shumë pranë një transferimi te Lacio, ne, si tifozë, duam të shprehim gjithë pakënaqësinë tonë për shitjen e mundshme të futbollistit, - thuhet në peticionin e tifozëve. - Për ne, ai përfaqëson një pikë referimi, një futbollist që i përshtatet në perfeksion stilit dhe mentalitetit të Gallatasarajit si edhe trajnerit tonë Fatih Terim. Dua që Cana të qëndrojë me ne", thuhet më tej në letrën e tifozëve. Në fakt, edhe pse Lacio ka arritur një akord me futbollistin, mes dy klubeve mungon ende marrëveshja zyrtare. Në këtë mënyrë, tifozët, që janë një pjesë e rëndësishme e Gallatasarajit, shpresojnë që të arrijnë të frenojnë këtë tratativë, duke e konsideruar Canën një idhull të tyre. Letra e tyre, e publikuar dje në mediat turke dhe italiane, lë të kuptohet se mesfushori kuqezi është kthyer në harkun e një viti në një nga futbollistët më të preferuar të tifozëve, kjo edhe për shkak të karakterit të tij luftarak.
Tratativat
Tratativat mes Lacios dhe Gallatasarajit kanë avancuar së tepërmi, sidomos pasi klubi bardhekaltër ka arritur një marrëveshje me vetë futbollistin, me ndërhyrjen e Lorik Canës. Tashmë pritet dhënia e OK-it të klubit turk, por kjo është duke vonuar, ndonëse vetë Cana tashmë ka dalë hapur duke thënë se do të shkojë të luajë në Itali. "Nuk më intereson se do më ulet rroga, unë dua të luaj te Lacio", ka thënë ai, i cituar nga e përditshmja italiane "Corriere dello Sport". Në fakt, Cana pritet të marrë 800 mijë euro më pak me kalimin te Lacio, ku i ofrojnë 1.7 milionë euro. Por, fakti që do të luajë në Serinë A italiane dhe në një nga klubet më të mëdha të këtij vendi, duket se ka qenë deciziv në vendimin e marrë nga futbollisti kuqezi. Përsa i përket zyrtarizimit të transferimit, ai pritet të ndodhë pas datës 7 qershor, kur Shqipëria do të përballet me Bosnje-Hercegovinën në Zenica, në impenjimin e fundit zyrtar për Lorik Canën këtë sezon. Gjithsesi, përveç Lacios janë ende në lojë edhe klube si Hamburgu apo Volfsburgu në Gjermani, ndonëse ato kanë disavantazhin se nuk janë në Kupat e Evropës. "Unë dua të luaj në një skuadër që të ketë gjithnjë tifozë në stadium", ka thënë Lorik Cana.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›