E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi i PS-së: Zgjedhjet u vodhën. Nuk e njohim rezultatin e 28 qershorit

Kongresi i Jashtëzakonshëm miraton rezolutën që e cilëson rezultatin e zgjedhjeve të papranueshëm

Shaban Sulçe

Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste ka miratuar me unanimitet rezolutën e propozuar nga Asambleja Kombëtare, rezolutë që e konsideronte rezultatin zgjedhor të 28 qershorit si të papranueshëm për shkak të manipulimeve dhe deformimeve të ndodhura para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor. Delegatët e kanë miratuar me shumicë votash këtë rezolutë, duke konfirmuar qëndrimin e Partisë Socialiste për të denoncuar manipulimet në zgjedhje, për të mos njohur rezultatin e 28 qershorit dhe për të mos njohur legjitimitetin e Parlamentit dhe të qeverisë së re. Organi më i lartë vendimmarrës i Partisë Socialiste ka mbështetur rezolutën e propozuar nga kreu i PS-së, Edi Rama, në Asamblenë Kombëtare. Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste ka mbështetur edhe një nga objektivat kryesorë që gjendet në këtë rezolutë dhe që është zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme.

Dokumentari
Ashtu siç ishte parashikuar në axhendën e miratuar nga Kryesia, Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste ka nisur punimet pikërisht me temën e nxehtë të manipulimeve të ndodhura në zgjedhjet e 28 qershorit. Për 1500 delegatët të pranishëm në sallë është transmetuar një dokumentar filmik, i cili kishte të bënte me raportin e përgatitur nga Partia Socialiste, që denoncon dhe vërteton maskaradën zgjedhore të 28 qershorit. Partia Socialiste denoncoi në materialin filmik, rreth 30 minuta të gjatë, emrat konkretë të dhjetëra të dënuarve për vrasje, krime të rënda, apo trafik lëndësh narkotike, të cilëve, në datat 12, 15, 16, dhe 17 qershor u është dhënë leje lirimi nga burgu. Sipas raportit, këta persona kanë qenë pjesë e fushatës së PD-së, kanë ushtruar presion ndaj zgjedhësve si dhe janë përfshirë në operacionet për manipulimin e votave. PS-ja në materialin e saj filmik jep dhe emrat konkretë të të dënuarve, të cilët në këto ditë kanë përfituar leje të veçanta nga Drejtoria e Burgjeve. Po kështu, PS-ja denoncon parregullsitë si gjatë fushatës paraelektorale, ashtu dhe në ditën e zgjedhjeve më 28 qershor, shfrytëzimit të administratës, përdorimit të nxënësve gjatë fushatave zgjedhore, presionet e pushtetarëve ndaj zgjedhësve.

Ruçi
Ka qenë kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi ai që ka mbajtur fjalimin e parë në nisjen e punimeve të Kongresit të Jashtëzakonshëm. Ruçi ka deklaruar se nuk është Partia Socialiste ajo që humbi zgjedhjet, por ka qenë kryeministri Berisha ai që grabiti votat e shqiptarëve, duke manipuluar rëndë zgjedhjet e 28 qershorit. “Gjatë këtyre 2 muajve, si deputet i saj dhe qytetar i angazhuar, kam debatuar gjatë dhe e përbashkëta e diskutimeve ka qenë vetëm një; se edhe pas datës 28 qershor Shqipëria vazhdon të mbetet vendi i fundit në rajon e Europë që nuk ka arritur të zhvillojë zgjedhje të lira e demokratike”, - deklaroi Ruçi. Deputeti socialist tha më tej se shpresonte që Kongresi do të nxirrte arsyet e vërteta të humbjes së zgjedhjeve, si dhe përgjigjet e pyetjeve se pse votat e majta të LSI-së shkuan për të mbajtur në pushtet kryeministrin Berisha. “Është marrë sërish peng vendi nga një kaskë mediokrish dhe një grup kriminal që pushtetin e kanë të lidhur me babëzinë, që vodhën çka mundën e çka deshën e që po përgatiten të vjedhin çka ka mbetur nga ky vend. Pres të identifikojmë se çfarë nuk funksionoi që nuk mundëm të përkthejmë në votë, që pushteti të shkonte majtas. Të gjejmë përgjegjësitë për pyetjet se pse votat e majta të LSI-së shkuan për të mbajtur në pushtet mbretin qesharak”, - tha kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi.

31 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›