Samuel Eto është i karikuar: “Ëndërroj një derbi zikaltër”
Derbi Milan-Inter është ndezur. Stadiumi “San Siro” është ezauruar plotësisht për sfidën e rivalëve të përjetshëm milanezë.
Sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o, flet për derbin kundër Milanit. “Çfarë derbi do të jetë? Mund të them se shpresoj të jetë një lojë e bukur dhe argëtim për tifozët. Dhe, me gjithë respektin që kam për Milanin, fitorja do të jetë e jona. Favorit Interi? Nuk më intereson të jetë, ishte dhe Mançester Junaitid përpara ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve, por... Murinjo ishte vendimtar për kalimin tim te Interi. Nëse nuk fitojmë me të, me kë tjetër do të fitojmë. Është i sinqertë dhe kur flet të shikon në sy. Milito? Jam i lumtur të luaj me Diegon, më shumë se ai ka kënaqësi të luajë ai me mua. Si lojtar meriton notën dhjetë dhe si njeri, njëmbëdhjetë. Përsa i përket Mario Balotelit, lojtarë si ai lindin çdo dhjetë vjet, mund të bëhet si Mesi e Ronaldinjo. Është e pashmangshme që biseda të mos shkojë te Barcelona: “Ata janë 11, për të qenë njësoj si ata, do të duhet të punojmë dhe të fitojmë sa më shumë. Klubi është, lojtarët janë, pastaj kemi edhe Murinjon. Nëse Interi nuk do të mundet të fitojë me atë, vështirë se do t’ia arrijë me dikë tjetër”, - përfundon sulmuesi kamerunas i Interit. Kërcënime ndaj Hoze Murinjos, trajnerit të Interit, i vënë nën shënjestrën e fondamentalistëve pas zëvendësimit të mesfushorit ganez Sulej Muntari në takimin me Barin. Lajmin e ka bërë të ditur “Daily Star”, duke shpjeguar se fjalët “fyese” të Murinjos kanë shkaktuar zemërim te besimtarët myslimanë. Në adresën e teknikut portugez të Interit janë drejtuar shumë kërcënime, të publikuara në faqet e internetit me bazë islamike. “Në rast se më ndodh ndonjë gjë, do të jetë përgjegjësia juaj, është hedhur në kundërsulm Murinjo, duke iu drejtuar gazetarëve. Situata e Muntarit është përgjegjësia juaj, jo e imja. Unë e di çfarë kam thënë, për këtë janë edhe regjistrimet, por juve u pëlqen të ndërroni fjalët. Unë kam thënë se vendimi i Muntarit për të agjëruar nuk është për t’u kritikuar, sepse është një çështje besimi dhe feje, çka do të thotë që unë e pranoj vendimin e tij”, deklaroi Murinjo. Derbi është ndezur dhe në kampin e Milanit. Edhe sulmuesi brazilian Pato e pret me shumë emocione këtë ndeshje. “Besoj se Interi është i fortë. Ka fituar titullin dhe ka demonstruar kualitet të madh. Por ne të Milanit nuk jemi inferiorë”, shton djaloshi brazilian. “Fitorja në derbi është shumë e rëndësishme. Për të shënuar në këtë takim do të jepja jetën. Të mundim Interin është e rëndësishme për të besuar më pas se mund të fitojmë titullin”, - tha Pato.
29 Gusht 2009