Raporti i OSBE-së: Shqetësim për lirinë e mediasc
VJENË - OSBE shprehet e shqetësuar për lirinë e medias dhe për problemet që përballet sot gazetaria investigative në Shqipëri. Në raportin monitorues për vitin 2009, i publikuar dje nga kjo organizatë në Vjenë, theksohen sfidat që po kalon media në vendin tonë. Në raportin e prezantuar nga përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e mediave, Dunja Mijatoviç përmendet rasti "Pango"dhe dënimi me gjobë 400.000 euro ndaj televizionit Top-Channel, për të cilin organizata ka shprehur zyrtarisht shqetësimin e saj edhe tek autoritetet shqiptare. “Më 28 Qershor, iu adresova autoriteteve më të larta shqiptare, rreth rastit “Pango”, - thotë Mijatoviç. Ajo shton: “në letrat drejtuar ministrave të Punëve të Jashtme, Ilir Meta dhe të Drejtësisë, Bujar Nishani iu shpreha shqetësimin rreth vendimit të Gjykatës së Rrethit të Tiranës për të urdhëruar TV Top Channel që të paguajë 400 mijë euro për të dëmshpërblyer dëmin moral që iu bë ministrit të Turizmit, Ylli Pango rreth një video ku ministri kërkon favore në këmbim të një vendi pune”.
Por, OSBE kujton se roli i vërtetë i media si “Watchdog” është investigimi. “Ju kujtoj autoriteteve që roli i medias Watchdog në çdo vend demokratik do të thotë gazetari investigative dhe çdo dëm, në çdo rast të tillë, të jetë në përpjesëtim me dëmin aktual të bërë. Gjenda ekonomike e medias në fjalë nuk duhet të çojë në një efekt trishtues mbi raportimin”, - lexoi në raportin e saj, Mijatoviç.
Në këtë pikë, Mijatoviç ka ofruar ndihmën e OSBE-së për reformën e kuadrit ligjor të medias në Shqipëri. “Gjatë takimit informal që kam pasur më pas më 16 Korrik në Shqipëri, me ministrin Meta kërkova të kthejë vëmendjen në rastin e mësipërm. Ministri Meta më tha se do ti dërgojë letër Presidentit të Shqipërisë që është njëkohësisht dhe kreu i lartë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ta rishikojë çështjen. Unë i ofrova zotit Meta mbështetjen e plotë të zyrës time për të asistuar Shqipërinë me reformat e saj të kornizës ligjore të medias, duke siguruar shqyrtime ligjore në legjislacionin përkatës për media”, tha Mijatoviç. Raporti monitorues përmbledh të gjithë vendet anëtare të OSBE-së dhe merret me parametrat dhe standardet që ka arritur çdo vend përsa i përket lirisë së medias.
30 Korrik 2010