Në shtator, Berisha bën gati ndryshimet në qeveri
Në muajin shtator, burimet bëjnë të ditur, se kryeministri Berisha do të bëjë një riformatim të kabinetit qeveritar. Sipas tyre, ky reformatim është i diktuar, jo vetëm nga performanca e disa ministrave, por edhe nga nevoja për ruajtjen e maxhorancës prej 71 votash në parlament. Pikërisht, për të siguruar një maxhorancë solide prej 71 votash, kryetarit të Partisë Demokratike i duhet të “gostisë” të gjithë aleatët, në mënyrë që maxhoranca e tij të mos varet nga “oreksi” i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas burimeve të informacionit, kryeministri Berisha pritet të afrojë në qeverisje, Partinë për Drejtësi dhe Unitet që përfaqëson kryesisht interesat e komunitetit çam. Duke i dhënë PDU-së një post ministror dhe disa poste të nivelit të dytë dhe të tretë, atëherë, Berisha siguron dy vota për maxhorancën e tij, duke e çuar pikërisht në 71 vota të sigurta, duke mos numëruar katër votat e LSI-së, parti kjo, që ka vendosur të ruaj identitetin e saj të majtë, në disa raste.
Presioni
Me afrimin e PDU-së në qeverisje Berisha arrin të krijojë një frymëmarrje për qeverisjen e tij, duke garantuar numrin e mjaftueshëm të votave për të kaluar ligjet që kërkojnë shumicë të thjeshtë, ashtu sikurse kërkon dhe projektligji i shumëdebatuar për Shërbimin Informativ Shtetëror. Po kështu, kreu i qeverisë i shpëton presionit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, qëndrimi i së cilës rrezikoi maxhorancën në votimin e projektit për SHISH-in, duke bërë që Berisha ta tërheqë nga votimi këtë draft. Qëndrimi i Metës në parlament gjatë seancës së debatit për SHISH-in nuk ishte gjë tjetër veçse një provë force e LSI-së drejtuar Berishës, dhe me afrimin e zgjedhjeve vendore, Meta pritet që të rrisë kërkesat e tij drejtuar kreut të qeverisë dhe të koalicionit.
Ndryshimet
Por këtë, duket se e ka kuptur edhe kreu i ekzekutivit, i cili nuk po rri aspak duarkryq, por sipas burimeve po bën llogaritë për të pasur një maxhorancë solide, duke realizuar riformatimin e qeverisë. Mesohet se kreu i qeverisë do të të bëjë një rotacion të ministrave aleatë në ministritë dytësore, si dhe pritet të largojë një nga ministratë e PD-së. Kështu, sipas burimeve Berisha do të krijojë hapsira në ministri të tilla, si ajo e Mjedisit apo e Kulturës, në mënyrë që njërën prej tyre t’ia japë Partisë për Drejtësi dhe Unitet. Me afrimin e zgjedhjeve lokale është e njohur rëndësia që merr një dikaster ministror, që sigurisht është një mundësi më shumë për të shpërblyer militantët dhe elektoratin e partive. Burimet gjithashtu bëjnë të ditur se nuk është e çuditshme mundësia që Berisha t’i kërkojë Metës të bëjë një riformatim të emrave të ministrave të LSI-së në kabinetin qeveritar, duke kërkuar ndryshimin e ndonjë ministri të LSI-së. Gjithësesi të gjitha këto ndryshime flitet se do të bëhen në muajin shtator dhe deri atëherë kreu i ekzekutivit ka kohë mjaftueshëm për të reflektuar dhe vendosur.
Sabri Godo kërkon ndryshimin e pjesshëm të qeverisë
Edhe plaku i urtë i politikës dhe një prej hartuesve të Kushtetutës, Sabri Godo ka hedhur idenë e reformimit të qeverisë. Politikani Godo është i pari në sferën politike që hedh idenë e një ndryshimi të qeverisë në muajin shtator, duke sugjeruar publikisht Kryeministrin që të vlerësojë punën e ministrave. “Unë mendoj se një vit kohë ka mjaftuar për të vlerësuar punën e secilit ministër dhe ka ardhur koha të kemi një qeveri më eficiente. Duhet të përgatitemi edhe nga kjo pikëpamje për zgjedhjet vendore dhe zgjedhjet e përgjithshme”, - tha Godo. Sipas tij, punën e di mirë i zoti i shtëpisë, në rastin konkret Kryeministri. “Cili ministër ka justifikuar punën e tij dhe cili ka lënë gjërat mangët. Përshtypja ime është se riformimi i pjesshëm i kabinetit do të ishte i mirë”, - tha ai. Lidhur me çështjen nëse mazhoranca i ka apo jo numrat në Kuvend për ligjet e rëndësishme si ai i SHISH, plaku i urtë i politikës theksoi se “Berisha bëri shumë mirë që tha hajde të më votbesoni, që të shikoni nëse i kam apo jo votat. Kjo tregon se mazhoranca nuk ka rënë”. Politikani Godo ka komentuar edhe punën e dy sesioneve të para të legjislativit të 18-të. Sipas Godos, ky Parlament nuk gëzon prestigjin e duhur. “Kjo kryesisht bëhet nga përbërja e tyre. Një pjesë e deputetëve nuk janë të përgjegjshëm për rolin e tyre, merren me punë që nuk janë të tyre. Sherrxhinjtë e përhershëm i quaj si deputetë që duan të vënë veten në dukje përpara kryetarëve të tyre, për të thënë se janë të gatshëm, të vdesin për partinë. E gjitha kjo i bën dëm prestigjit të Parlamentit. Them se në zgjedhjet e ardhshme duhet që gjysma e tyre të eliminohen”, - tha ai.
30 Korrik 2010