E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha: Nuk do të kandidoj për asnjë post drejtues në PD

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha flet për projektet e tij për Tiranën, por edhe për zhvillimet politike. Incidenti me Topallin? Këto përbëjnë sensacione për shtypin. “Do t’u përkushtohem 100 % qytetarëve të Tiranës, as nuk do të kandidoj me vullnetin tim dhe as nuk do të pranoj të kandidohem me vullnetin e askujt”

Intervistoi: Çim Peka

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka mohuar dje çdo mundësi për të kandiduar për një post në Partinë Demokratike. I ftuar në emisionin “Fakt” të gazetarit Çim Peka, Basha ka rikonfirmuar angazhimin e tij 100 për qind për t’u shërbyer qytetarëve të Tiranës. Basha ka shpjeguar procesin e hipotekave, planin urbanistik apo ndërhyrjet në Sheshin Skënderbej, por edhe tensionin me Topallin në ceremoninë mortore të Leka Zogut apo planet e ardhshme politike.

Keni eliminuar 60 taksa, do të propozoni heqjen totale të taksave për çdo biznes, me çfarë buxhetesh do ta mbani Bashkinë e Tiranës?

Vendimi i Këshillit Bashkiak ka qenë për të eliminuar 60 tarifa dhe taksa vendore, ashtu siç kisha premtuar në bazë të një studimi të mirëfilltë nga ekspertët më të mirë në vend. Tashmë, këto 60 tarifa dhe taksa janë eliminuar nga lista e 83 tarifave dhe taksave që Bashkia e Tiranës ekzekutonte në qytet, pra 60 prej tyre nuk ekzistojnë në këtë listë. Ndërkohë që kemi lëvizur me uljen e disa taksave sikundër dhe kam premtuar, dhe do të vazhdojmë brenda kufijve ligjorë të ulim taksat e tjera derisa premtimi im të jetë përmbushur tërësisht, jo thjesht për të mbajtur fjalën, po se ky premtim mbështetet në një fakt shumë të rëndësishëm, në një qytet pa taksa të fryra, që mendon për punësimin dhe zhvillimin ekonomik që është një qytet në shërbim të qytetarëve. Masa tjetër që unë do t’i propozoj Këshillit Bashkiak më 22 dhjetor, ditën kur do të propozoj edhe buxhetin e ri të vitit 2012, është heqja e taksave vendore për katër vjet për çdo biznes që punëson 50 ose më shumë qytetarë të Tiranës, edhe kjo është diçka që unë e kam cekur gjatë fushatës.

Kam hapur një dialog me qeverisjen qendrore, që shpresoj të jetë i suksesshëm për një skemë rimbursimi të gjysmës së totalit të taksave që qeveria qendrore vjel nga çdo biznes që punëson mbi 500 qytetarë, pra qeveria po kështu vjel taksën e saj të tatimit mbi fitimin, tatimin e korporatave, dhe negociatat tona me qeverinë kanë për qëllim të krijojnë mundësinë që çdo biznes që rishtas i punëson 500 ose më shumë punonjës, të marrë mbrapsht gjysmën e tatimit mbi fitimin. Ne po flasim për vende pune që sot nuk ekzistojnë, për aktivitet ekonomik që sot nuk ekziston, për të ardhura që sot nuk mblidhen, nuk është se humbasim diçka që sot e kemi, ne fitojmë diçka më shumë, fitojmë vende pune për qytetarët.

Si e gjetët Bashkinë e Tiranës të drejtuar prej 12 vitesh nga Edi Rama, në çfarë gjendje ishte buxheti?

Gjendja financiare e Bashkisë së Tiranës kur unë mora detyrën ka qenë shumë e vështirë, kjo për arsye se granti vjetor ishte harxhuar i tëri në tremujorin e parë, ndërkohë që performanca fiskale, pra mbledhja e taksave nga Bashkia kishte rënë në rekorde historike; deri në 2% të tatimeve të taksave ishin mbledhur, pra nuk kishte mjaftueshëm të ardhura as për operacionet më minimale të një bashkie dhe natyrisht, kjo na përballi me sfida të mëdha, të cilat bëheshin më komplekse edhe nga mungesa e stafit drejtues dhe informacionit. Kjo është e shkuara dhe unë skam asnjë qëllim të merrem me të shkuarën apo të ankohem për atë që gjeta. Synimi im është të fokusohem tek e ardhmja për ta bërë Tiranën një qytet modern, për të dhënë një impakt pozitiv për qytetarët e Tiranës.

A është hipotekuar ndonjë apartament pasi ju keni ardhur kryetar bashkie?

Kemi çuar 124 objekte për konfirmim në Hipotekë dhe nga bisedat që kam pasur me ministrin e Drejtësisë dhe kryeregjistruesin, po përfundon procesi i hipotekimi të këtyre 124 lejeve, janë hipotekuar dhjetëra nga këto. 124 të parat nuk kanë pasur probleme me lejet e shfrytëzimit. Kategoria e dytë janë afro 30 leje që janë në procesin e dhënies së lejes së shfrytëzimit, të cilat janë vonuar, një pjesë e tyre pa arsye nga Bashkia e Tiranës, dhe që po zbardhen e do të mbajnë firmën time dhe do t’i dërgohen Hipotekës për hipotekim. Pastaj kemi dy kategori të veçanta, një kategori është me probleme, ku zhvilluesi ka shkelur parametrat e zhvillimit sadopak dhe kjo penalizon të gjithë komunitetin që jeton në atë ndërtesë, dhe e fundit është kur zhvilluesi është zhdukur pa lënë në gjurmë ose nuk ekziston më fizikisht, juridikisht dhe nuk do të paraqitet para Bashkisë, dhe këtu hyn në punë ai memorandum bashkëpunim që firmosëm me zotin Olldashi dhe zotin Halimi në Bashkinë e Tiranës, para një muaji e gjysmë, ku Bashkia e Tiranës me një vendim të Këshillit të Ministrave dhe me një ndryshim në ligjin për disiplinimin e punimeve merr kompetenca për të bërë, për të paguar kolaudimin e plotë të këtyre objekteve, që është edhe hapi i fundit para dhënies së lejeve të shfrytëzimit. Në këtë rast që është edhe më kompleks, ne shkojmë një hap më tutje sesa thjesht bëjmë detyrën tonë. Ne faktikisht përdorim resurset tona njerëzore dhe financiare, sepse do të paguhem kolaudatorët privatë për të shkuar për të kolauduar atë objekt, me qëllim që ta përmbyllim këtë problem.

Plani urbanistik, çfarë do të zgjidhni midis planit francez dhe atij të Adil Çarçanit, diçka të mesme do të bëni?

Planin urbanistik premtova se do ta nis në 100 ditët e para, ndërkohë kemi pasur mbi 14 takime të grupit teknik dhe 3 takime të grupit strategjik. Kemi lëvizur me një shpejtësi më të madhe nga sa parashikonim. Bota akademike është tërësisht e përfshirë, kemi përfunduar fazën e vendimeve strategjike për infrastrukturën dhe për ambientin. Së shpejti do të kemi raundin e parë të konsultimeve më të gjera me grupet e interesit edhe me publikun. U kërkoj qytetarëve që të jenë pjesë e këtij procesi dhe të çojnë qoftë edhe për lagjen e tyre, rrugën, objektet që kanë në pronësi, sugjerimet apo dëshirat që kanë për planin urbanistik. I siguroj se grupi është i madh, ka kapacitetet e mjaftueshme, shqyrtohet dhe dëgjohet çdo komunikim që ka të bëjë me planin urbanistik dhe bëhet pjesë e grupit të punës. Zgjerimi i hapësirave publike do të udhëheqë planin urbanistik. Nga e gjithë puna që është bërë për planin urbanistik, ne do të marrim më të mirën dhe nuk ka pse të paragjykojmë asgjë që është bërë më përpara. Gjithçka e dobishme do të përdoret, edhe projekti i fundit që nuk është i zotit Rama, por i ekspertëve, sikundër ky nuk është i zotit Basha, por bëhet nën lidershipin tim, e që është një produkt ku ka ekspertë që kanë dhënë mendimet e tyre, ku ka matje të cilat janë paguar me paratë e taksapaguesve shqiptarë. E rëndësishme është që puna të jetë jashtë konfliktit të interesit.

Ndërhyrjet në sheshin “Skënderbej”, a ka një emër të arkitektit që ka bërë rehabilitimin e tij?

Problemi ishte shumë i madh, projekti siç ishte propozuar jo vetëm që nuk ishte afër përfundimit dhe fondet e dhëna nuk mjaftonin për ta përfunduar me idenë e një sheshi këmbësor pa trafik, por sheshi këmbësor pa trafik ekzistonte si një ishull, nuk kishte asnjë masë për zgjidhjen e trafikut. Situata kërkonte një zgjidhje, nuk kemi as energji dhe as fonde që t’i futemi sheshit “Skënderbej” çdo katër vjet. Koha që t’i jepen këto zgjidhje nuk është as një javë, as një muaj. Ne ndërhymë me një projekt bazuar në tri parime: parimi i parë, të rikthenim normalitetin e lëvizjes në qytet; pari i dytë, të ruanim të gjitha investimet e bëra deri në atë moment, që janë infrastrukturore nëntokësore; dhe së treti, të shpenzonim minimumin e mundshëm të parave ndërkohë që rikthenim normalitetin në shesh me një anë estetike të pranueshme. Kjo që shikoni sot i ka përmbushur të tria këto kushte.

Z.Basha, të paktën mediatikisht, në median e shkruar është folur për një incident mes jush dhe znj.Topalli ditën e ceremonisë së Leka Zogut, se kush duhet të mbante fjalën. Fjalën e mbajtët ju, në një kohë ku këto homazhe mbaheshin në Kuvendin e Shqipërisë. Cila është e vërteta e këtij incidenti?

Ajo ka qenë një ditë shumë emocionale për shumëkënd dhe mendoj se ajo që ka rëndësi është se qytetarët nuk presin që të merren me çështje të tilla. Këto përbëjnë sensacione për shtypin. Ajo që qytetarët presin është se çfarë bëjmë ne për ta dhe në këtë rast fokusi total është që të jap një impakt sa më pozitiv për qytetin dhe qytetarët, sikundër jam i bindur që kryeparlamentarja Topalli në fokus të saj ka axhendën shumë dinamike legjislative të Kuvendit, veçanërisht tani pas dy vjetësh bllokimi nga PS-ja...

Pse ndodhi kjo përplasje?

Mendoj se shpenzojmë shumë kohë duke folur për politikanët dhe jo për atë që politikanët bëjnë për qytetarët...Edhe njëherë, sensacionet janë sensacione, unë e thashë që jam tërësisht i përkushtuar në punën time për të dhënë një impakt sa më pozitiv në jetën e qytetarëve për një Tiranë europiane, sikundër kryeparlamentarja Topalli është tërësisht e përkushtuar për një axhendë europianiste të Parlamentit shqiptar, axhendë e cila më në fund po vihet në veprim pas dy vitesh bllokimi që i kanë kushtuar vendit.

Gjithsesi, nuk po e mohoni këtë incident?

Unë besoj se po flas qartë për atë që unë e konsideroj të rëndësishme dhe atë që e konsideroj të parëndësishme.

Duke qenë se jemi tek z.Godo, para pak muajsh në intervistën e fundit në emisionin tim, ai ka pasur disa referenca mjaft konkrete për ju si Kryeministër dhe Berisha si President?

Mendoj se intervista ka qenë disa ditë para ose pas, kur unë isha për drekë me Godon në apartamentin e tij.

Dy ditë para...

Dhe e patëm këtë bisedë, e patëm këtë debat. Sigurisht që z.Godo provokonte politikën shqiptare, e stimulonte atë si rrallëkush...

Z.Godo, gati-gati dha një amanet dhe e ndiente fundin...

Besoj që pata rastin t’i shpjegoj që unë ndahesha me të në këtë çështje, sepse përkushtimi im për Tiranën është real dhe afatgjatë...Tiranës i duhet një kryebashkiak që t’i kushtohet 100% dhe unë mendoj se çdo fillim dite, çdo fund dite jam në gjendje ta bëj këtë dhe dua ta bëj këtë...ndërkohë që mendoj se në këtë kohë sfidash të shumta brenda dhe jashtë Shqipërisë, kryeministri Berisha ka ditur ta orientojë jo sot, por edhe një vit, dy vjet, katër vjet përpara vendin në mënyrë të tillë, që jo vetëm të kapë etapat e rëndësishme historike siç ishte anëtarësimi në NATO, siç ishte afrimi fizik me Europën sot i shqiptarëve, nesër edhe formal përmes anëtarësimit, siç do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme por edhe t’i japë këtij vendi përmes këtij ndryshimi të tij dhe skuadrës që ka drejtuar një frymëmarrje ekonomike, pa asnjë burim ekstra natyror, por vetëm duket ndjekur politikat e duhura ekonomike...

Kongresi i fundit i dhjetorit, megjithëse para dy viteve ka zgjedhur të gjitha strukturat e saj, por akoma nuk ka ricikluar dy nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm dhe sekretarët e partisë. A do të konkurrojë Lulëzim Basha për njërin nga dy nënkryetarët, pa hequr dorë nga angazhimet e Tiranës?

Jo. As nuk do të konkurroj dhe as nuk do të pranoj të kandidohem për asnjë nga postet drejtuese, për arsye fare të thjeshtë...

Edhe nëse jua kërkon Berisha?

Besoj se u shpreha qartë. As nuk do të kandidoj me vullnetin tim dhe as nuk do të pranoj të kandidohem me vullnetin e askujt. Unë jam demokrat dhe jam krenar që jam demokrat, por besoj se Tiranës i duhet një kryebashkiak me kohë të plotë dhe unë kam vendosur të jem ky kryebashkiak me kohë të plotë, për të realizuar premtimet dhe axhendën me të cilën unë dola para qytetarëve të Tiranës...

Nëse kjo mazhorancë humbet zgjedhjet e vitit 2013, çka e detyron Berishën të largohet nga drejtimi i partisë, a do të mendoni ju si Rama, se Tiranës nuk do t’i duhet më një kryebashkiak me kohë të plotë?

... Në themel të konceptit tim qëndron besimi i patundur se qytetarëve të Tiranës i lypset përkushtimi i plotë i kryebashkiakut, i lypset jashtë konfliktit dhe debatit politik dhe se nga ana tjetër, pavarësisht prej debatit politik, ky koalicion i udhëhequr nga ky Kryeministër është zgjidhja e duhur për shqiptarët dhe nuk ka arsye të mos shkojmë me besim edhe në zgjedhjet e 2013-ës, që është natyrisht një çështje që do e vendosin qytetarët shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›