E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkaktoi aksident, pranga nipit të Klodjan Saliut

Pranga nipit të Klodjan Saliut, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ndërkohë që gjyshi dhe një kushëri i tij, janë ende në gjendje të rëndë për jetën. Afër mesnatës, disa orë pas aksidentit, në të cilin humbi jetën një 19-vjeçar dhe u plagosën 8 persona të tjerë, policia bëri arrestimin në flagrancë të 16-vjeçarit Enkeled Saliu nga Durrësi me banim në Spitallë, si përgjegjës të aksidentit fatal. Ndonëse në spital, ku ka marrë ndihmën e parë pas aksidentit në të cilin mbeti i vdekur shoku i tij dhe u plagosën shumë të tjerë, mes të cilëve ai vetë dhe gjyshi i tij, Abedini, ndaj adoleshentit është marrë masa e arrestit. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës bënë të ditur se arrestimi i të miturit u bë pasi pa pasur një dëshmi aftësie për drejtimin e automjetit dhe duke udhëtuar me shpejtësi, ka humbur drejtimin e mjetit "Benz", TR 4729 N, duke shkaktuar një aksident të rëndë rrugor. Aksidenti ndodhi në segmentin rrugor Mbikalimi i serave-Durrës, në rrugën e re në ish-Kënetë. Enkeledi ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit dhe del nga korsia e vet e lëvizjes, kalon mbi trafikndarësen dhe përplaset me mjetin tip "Benz" me targa DD 032 BV, që drejtohej nga 38-vjeçari Artan Ilmiu nga Kavaja. Si pasojë e kësaj përplasjeje ka gjetur vdekjen shtetasi, Jurgen Zani, 19 vjeç nga Durrësi, i cili ka qenë pasagjer në mjetin e drejtuar nga Saliu. Gjithashtu në këtë mjet janë plagosur rëndë dhe dy anëtarë të tjerë të familjes Saliu. Përveç Abedin Saliut, 75 vjeç, i plagosur rëndë ka mbetur dhe nipi tjetër J. Saliu, 16-vjeçar. Të dy ndodhen të shtruar në spitalin rajonal të Durrësit, nën kujdesin e bluzave të bardha. Ndërkaq më lehtë janë plagosur një familje nga Kavaja dhe drejtuesi i automjetit Ilmiu, të cilët udhëtonin me mjetin tjetër tip "Benz". Veprat penale në ngarkim të shtetasit Enkeled Saliu janë "shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe "drejtimi i mjetit pa dëshmi aftësie", të parashikuara nga nenet 290 e 291 të Kodit Penal. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka nisur hetimet e mëtejshme për ngjarjen që pati jehonë të veçantë për faktin se u përfshinë babai dhe nipi i Klodjan Saliut, rivalit të vdekur të kapobandës së Durrësit. Ngjarja e rëndë rrugore çoi në vend drejtuesit më të lartë të policisë lokale, të cilët menduan se mund të bëhej fjalë për një atentat ndaj familjes Saliu, ndërsa në Tiranë vijon gjyqi ndaj bandës së Durrësit dhe bëmave të saj. Por hetimet vërtetuan se aksidenti i rëndë është shkaktuar nga tejkalimi i shpejtësisë në lëvizjen e automjetit me të cilin lëvizte babai i Klod Saliut nën drejtimin e të nipit, birit të Arianit 37-vjeçar që humbi jetën në një atentat të organizuar shtatorin e vitit të kaluar në Durrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›