Shkaku kryesor i divorcit? Nuk të dua më!
Përjetë bashkë në të mirë e të keq që të tërë e pohojnë para zyrës së gjendjes civile, vjen një moment kur del se nuk paska qenë thënë seriozisht. Përndryshe, çfarë kuptimi ka që në shtatë muaj në Gjykatën e Tiranës ka pasur 700 çifte të ndarë. Duket sikur të divorcohesh tashmë është kthyer në modë. Madje më keq se modë, është kthyer në një proces të ngjashëm me, po iki të blej bukën. Çdo vit e më shumë rritet numri i personave të cilët drejtohen në dyert e gjykatës për ti dhënë fund ligjërisht kurorës së tyre martesore. Paditë civile me objekt: zgjidhje martesë, që vijnë e regjistrohen pranë sekretarisë së organit gjykues janë gjithmonë më të shumta. Ata që ngrenë padinë në më të shumtën e rasteve janë meshkuj, por vitet e fundit është shtuar ndjeshëm edhe numri i femrave të cilat marrin guximin për ti dhënë duart bashkëshortit e kjo për një sërë arsyesh. Po ti hedhësh një sy këtyre çështjeve të gjitha fillojnë me; Janë lidhur me njohjen dhe pëlqimin e tyre reciprok pasi kanë kaluar x vite martesë në çift kanë filluar grindjen dhe mosmarrëveshjet…. Në statistikat e marrë nga ky organ vihet re se është rritur shumë mosha e personave që ndahen, që do të thotë, nuk divorcohen vetëm ata që kanë pak vite martesë, por edhe ata që kanë mbi 20 vjet dhe habia në të tilla raste është arsyeja që i ka çuar këta çifte në dyert e gjykatës; Mos përputhje karakteri. Pas më shumë se 20 vjetësh jetë bashkë kuptojnë se kanë mospërputhje…
Gazeta ka siguruar disa nga vendimet e divorceve dhe fabulat e tyre të ndarjes janë nga më të ndryshmet… duke filluar që nga besnikëria e deri kushtet ekonomike, emigrimi. Në njërën prej tyre lexohet se:
Martesa e midis burrit dhe gruas është lidhur pas një periudhë njohjeje rreth një vjeçare. Fruti i martesës midis tyre është vajza, A. Sipas shpjegimeve të të vetë bashkëshortit i cili ka paraqitur edhe kërkesën për divorc, marrëdhëniet bashkëshortore kanë qenë relativisht të mira, kurse grindjet dhe acarimi i tyre kanë filluar në vitin 2008. Shkaqet e kësaj gjendjeje, sipas tij, ishin grindje të filluara pa ndonjë arsye thelbësore, apo pakënaqësia që ajo shfaqte për kushtet dhe mënyrën e jetesës. Gjithashtu sipas bashkëshortit, gruaja e tij ishte shumë impulsive dhe nevrike, çka ndikonte në humbjen e qetësisë së dëshiruar familjare. Si pasojë e kësaj gjendje debatet ndërmjet tyre u bënë edhe më të shpeshta dhe në këtë mënyrë ajo u largua nga banesa, duke braktisur bashkëshortin dhe vajzën e tyre. Në këto kushte kur bashkëjetesa është ndërprerë, për shkak të grindjeve dhe mosmarrëveshjeve të shumta, martesa e ka humbur funksionin dhe qëllimin e saj dhe ajo duhet të zgjidhet edhe nga ana ligjore. Këto janë shkaqet e njërës prej 700 padive në gjykatë. Ajo që të bie në sy është se gjykata para se ta kalojë çështjen për shqyrtim ka një seancë pajtimi, ku i kërkon çifteve të reflektojnë dhe të shohin mundësin e ribashkimit. Me gjithë këto përpjekje numri i çifteve që ka ndryshuar mendjen në seancat e pajtimit është zero.
Arsyet
Varfëria, tradhtia, emigrimi, janë disa nga arsyet që i çojnë njerëzit drejt divorcit pa e mbajtur deri në fundit premtimin që i kanë dhënë njeri-tjetrit për të ndarë jetën bashkë. Por ajo që është vënë re nga avokatet dhe gjyqtarët, kohët e fundit është shtuar një tjetër arsye që i çojnë çiftet në divorc… Ai ose Ajo nuk e duan më njëri-tjetrin. Mes tradhtisë, krizës ekonomike, dhunës fizike e psikologjike dhe emigracionit në zyrat e gjykatës dëgjohet gjithmonë e me shpesh fjalia: nuk të dua më, kaq ishte…! Kur vejnë puna te emigrimi, ka sjellë pasoja të rënda sociale në familjet shqiptare. Tashmë, gjysma e kërkesave për divorc kryhet nga gratë që jetojnë vetëm për një periudhë të gjatë kohe. Rastet kanë qenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga ata pa fëmijë, e deri tek ata bashkëshortë që kanë më tepër se pesë fëmijë. Çështjet e tradhtisë bashkëshortore, të cilat dikur ishin të vetmet që çonin çiftet shqiptare në divorc, tashmë zënë një përqindje të vogël. Sipas të dhënave statistikore të Gjykatës së Tiranës, shifrat rriten, kjo dhe për shkak të rritjes së popullsisë së kryeqytetit. Megjithatë, shifrat janë dyfishuar po ti krahasohen me tri ose katër vite më parë.
Ai 62 vjeç, ajo 58 vjeç, pas 34 vjetësh martesë, divorcohen për mospërputhje karakteri
Janë lidhur në martesë në 9 maj të vitit 1977. Gjatë martesës kanë lindur dy fëmijë. Tashmë në moshë madhore. Pas 34 vjetësh martesë ka qenë gruaja ajo që i është drejtuar gjykatës për ti dhënë fund jetesës së saj dy çerek shekulli me bashkëshortin. Sipas saj në vendimin e gjykatës shkruhet se; Martesa me bashkëshortin në fillim ka funksionuar normalisht, por prej disa kohesh, marrëdhënia martesore midis tyre është cënuar rëndë për shkak të sjelljes të paditurit. Nga pikëpamja faktike të dy bashkëshortët jetojnë të veçuar në të njëjtën banesë. Shkaku i cënimit të raportit martesor ka qenë mospërputhja e karaktereve midis bashkëshortëve e cila ka çuar në ndërprerjen e raportit të bashkëjetesës midis tyre. Rezultoi e provuar në gjykim se marrëdhënia martesore midis çiftit është lëkundur në atë shkallë sa vazhdimi i raportit juridik të martesës është bërë i pamundur pasi kjo martesë e ka humbur qëllimin për të cilin është lidhur për sa mungon një nga elementët e saj esencialë të saj, bashkëjetesa. Gjykata çmon të evidentojë faktin se, gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje, mbi kërkesën e bashkëshortit i cili pretendoi mundësinë e pajtimit me gruan, Gjykata e shtyu disa herë gjykimin për tu dhënë mundësi në arritjen e pajtimit. Gjatë hetimit gjyqësor ishte gruaja ajo që insistonte në zgjidhjen e martesës por pa dhënë shpjegime për ato që ajo i konsideronte arsye madhore për zgjidhjen e kësaj martese. Togat e zeza nuk mundën të bindnin për pajtim këtë çift dhe vendosi shpalljen e menjëhershme të zgjidhjes së martesës në datën 10 mars 2011.
Ndahet nga burri se ikte nga shtëpia pa leje dhe luante bingo
Bashkëshortja deklaroi se i padituri ka frekuentuar rregullisht lojrat e fatit ku shpenzonte të gjitha të ardhurat e familjes. Gjithnjë sipas saj, bashkëshorti nuk ka qenë korrekt në marrëdhënien me të për shkak se largohej nga banesa pa bërë me dije se ku ndodhej. Fillimisht, sipas paditëses, ai kthehej vonë në familje por me kalimin e kohës filloi të mos kthehej për disa dite me radhë. Për këto shkaqe grindjet dhe mosmarreveshjet mes tyre kanë qenë të vazhdueshme deri në momentin e ndërprerjes së bashkëjetesës ligjore me largimin e të paditurit në vitin 2007 nga banesa bashkëshortore. Pas përpjekjeve disa mujore për rivendosjen e marrëdhënieve me bashkëshortin e saj, në fund te vitit 2007 është larguar nga banesa bashkëshortore edhe gruaja. Që nga ky moment është ndërprerë tërësisht edhe komunikimi mes tyre.
Shkaku i divorcit? Nuk të dua më!
Më shumë se të mos qenit besnik me partnerin, tani fjala që thuhet më shumë kur një çift ndahet është; Nuk ndjej më për ty, mbarojë dashuria. Me pak fjalë, “nuk e dua më” është në krye të listës së frazave më të shpeshta të përmendura si shkak për ndarjen apo shkurorëzimin e një çifti. Sipas një vëzhgim të gazetës nëse më parë përqindja më e madhe e ndarjeve ishin marrëdhëniet jashtëmartesore, gjendja ekonomike, emigracioni, tashmë në fjalorin e divorceve në Gjykatën e Tiranës është vendosur edhe fjalia; Nuk të dua më!.
700
Kërkesa për divorce kanë ardhur në shtatë muaj në Gjykatën e Tiranës. Çdo vit e më shumë rritet numri i çifteve që i japin fund martesës së tyre në dyert
