E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkim nga detyra, ia kurseu ilaçet pacientit

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjobit farmacinë e shërbimit onkologjik, aty ku trajtohen të sëmurët me tumore

Firmoset shkresa për farmacistin. Nuk kishte arsimimin e duhur, falsifikoi recetat, duke shkaktuar dëm financiar
Dita e hënë ka nisur me masa administrative në qendrën spitalore universitare, “Nënë Tereza”. Pas kontrolleve dhe inspektimeve të administratës spitalore është kapur në gabim një nga punonjësit e spitalit, i cili ofronte kujdes shëndetësor në një nga pavijonet më “delikatë” të spitalit. Bëhet fjalë për ndihmësfarmacistin në shërbimin e onkologjisë, reparti ku ekzaminohen e trajtohen të sëmurët me tumore.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në dokumente ka sqaruar se në këtë pavijon janë vendosur gjoba prej disa milionë lekësh, për shkak të parregullsive që janë konstatuar në farmacinë e këtij shërbimi. Bashkë me këto dokumente, edhe kontrolli i administratës ka evidentuar se punonjësi i farmacisë ka kryer tre gabime kryesore, për të cilat është penalizuar me shkarkim të menjëhershëm nga detyra. Ndihmësfarmacisti ka korrigjuar faturat mjekësore të barnave me kosto të lartë financiare, nuk u ka dhënë dozën e duhur të barnave pacientëve që trajtoheshin në këtë shërbim, si dhe nuk kishte arsimimin e nevojshëm për të punuar në një qendër terciare si QSUT.
Masa
Drejtoria e qendrës spitalore universitare, “Nënë Tereza”, njoftoi zyrtarisht dje se është marrë masa e pushimit nga puna të ndihmësfarmacisti në shërbimin onkologjik.Kjo masë e menjëhershme administrative është marrë në mbështetje të ligjeve, përcaktuar në Kodin e Punës. Arsyet e firmosjes së shkresës së largimit janë lidhur me ecurinë e punës në pavijonin ku punonjësi ushtronte profesionin e farmacistit.
Konkretisht, sipas Drejtorisë së Qendrës Spitalore, punonjësi kishte kryer korrigjime të faturave mjekësore të barnave me vlera të konsiderueshme parash.
Punonjësi nuk kishte aplikuar te pacienti sasinë e mjaftueshme të medikamenteve. Ndërkohë që, sipas të dhënave të mbledhura nga administrata, punonjësi nuk kishte arsimimin e duhur dhe të kërkuar për të punuar pranë qendrës spitalore universitare, “Nënë Tereza”, spital ky i nivelit terciar. Ky vendim i marrë nga Drejtoria e QSUT-së mbështetet edhe në një sërë dokumentesh të tjera të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Masa administrative për punonjësin është marrë edhe pas vendosjes së një gjobe prej disa milionë lekësh, për shkak të parregullsive në farmacinë ku ai punonte, nga institucioni që kreu kontrollin. Ndërkaq, Drejtoria e QSUT-së ka njoftuar dje zyrtarisht se do të ketë të tjera kontrolle dhe inspektime edhe në punën e mjekëve, infermierëve, të gjithë personelit shëndetësor dhe administratës. “Për këdo që do të konstatohen shkelje me detyrën, masa administrative do të jetë e menjëhershme konform ligjeve në fuqi”, sqaroi zyrtarisht administrata e QSUT-së.
Precedenti
Pak kohë më parë janë marrë edhe dy masa të tjera për punonjësit e farmacisë qendrore të qendrës spitalore universitare, “Nënë Tereza”. Masat administrative për dy punonjës kanë qenë largim nga detyra dhe ulje në detyrë. Arsyeja, për neglizhencë në punë dhe planifikim të pasaktë të nevojave të spitalit me fiziologjik, lëndë e nevojshme në çdo shërbim të qendrës, kryesisht e përditshme për serume.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›