E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkimi, Spahiu: E kam bërë zgjedhjen time

Kreshnik Spahiu

TIRANE- Kreu Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu tha sot se tashmë e ka bërë zgjedhjen e tij, është çështje kohe lënia e postit të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, duke folur për kërkesën e Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e tij, Spahiu tha se e kisha menduar dorëheqjen për shkak të një përshkallëzimi të aktivitetit të Aleancës Kuq e Zi, por kjo kërkesë nga Kuvendi më ka ardhur e papritur dhe e çuditshme

Kryetarin e Shtetit, Prokurorin, Avokatin e Popullit, etj, Kuvendi mund ti hetojë dhe mund ti shkarkojë për shkak të kompetencës, ndërsa për zëvëndëskryetarin apo anëtarët, Kushtetuta nuk parashikon shkarkimin nga Kuvendi, por nga Këshilli Kombëtar i Drejtësisë. Kemi një përplasje konfliktesh.  Vetë Parlamenti më akuzon se kam kaluar kompetencat, dhe vetë Parlamenti merr kompetenca jashtë ligjore- tha Spahiu.

Lidhur me situatën e rëndë në të cilën gjendet sistemi i drejtësisë në Shqipëri dhe përgjegjësinë e institucionit që ai drejton, nënkryetari i KLD-së tha se,  KLD-ja ka kompetenca të limituara dhe të kufizuara, të ndara nga Prokuroria dhe Gjykata e Lartë.

Sipas Spahiut, institucionet kanë pasur nevojë të vishen me një frymë patriotizmi, me qëllim ngritjen e moralit të qytetarëve shqiptarë.

Nëse do të kthehet ose jo AK-ja në një parti politike, Spahiu u shpreh se ky do të jetë një vendim kolegjial dhe jo aventuresk.

Ajo mund të mos krijohet kurrë si parti politike. Synojmë të anëtarësojmë 1 milionë kuqezinj. Kthimi në parti politike do jetë një vendim kolegjial dhe jo aventuresk.  Vetëm kauza është shumë e rëndësishme, që të mos dështojë, sepse nëse dështon ajo do bëhet tokë e djerrë, dhe askush nuk mund ta marrë më atë.- tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›