E Diel, 1 Nëntor 2026

Uji i ndotur, përfundojnë në spital 20 persona të infektuar



URA VAJGURORE – Kur nuk ka filluar ende i ngrohti i verës, shënohen viktimat e para nga mosrespektimi i kushteve higjenike dhe kontrollit të ujit të pijshëm nga autoritetet vendore. Rreth 20 banorë të lagjes "Guri i Bardhë" në Urën-Vajgurore, që prej mbrëmjes së shtunë e në vazhdim i janë drejtuar repartit të urgjencës në spitalin rajonal të qytetit të Beratit. Ata kanë patur shqetësime gastrologjike dhe temperaturë të lartë. Të gjithë pacientët që kishin thuajse të njëjta probleme shëndetësore vinin nga e njëjta zonë banimi. Mjekët specialistë, pas njohjes me shqetësimin e pacientëve, kanë dyshuar për një sëmundje infektive, origjina e së cilës është shkaktuar nga uji i pijshëm. Mjeku Karaman Sulejmani ka pohuar se “rastet e këtyre pacientëve kanë ardhur duke u shtuar, dhe të gjithë janë banorë të Urës-Vajgurore. Sulejmani, eksperti i sëmundjeve të gastrologjisë pohoi se shkak për këtë vatër infeksioni është bërë uji i pijshëm në lagjen "Guri i Bardhë", ku banojnë të gjithë personat e shtruar në spital. Disa prej pacientëve kanë marrë mjekimin dhe janë larguar nga ky repart, por 7 prej tyre, ndodhen ende në gjendje të rënduar shëndetësore në repartin e sëmundjeve infektive. Mjekja infeksioniste, Etleva Vila pohon për gazetën se shenjat klinike që paraqesin pacientët janë shenja klinike të një pastro-eteriti. Sipas saj, të shtruarit kanë bark, të vjella, një gjendje të përgjithshme këputjeje trupore që vjen si rezultat i humbjes së lëngjeve nga shenjat e mësipërme klinike. Vila pohon se këta të sëmurë janë kryesisht nga Ura-Vajgurore dhe numri i rasteve është i pazakontë për stinën; kjo, jo për faktin se në këtë stinë nuk kemi raste të tilla, por për faktin se pacientët janë banorë të të njëjtës lagje. Ajo shton se “kjo na bën të aludojmë se shkaku për këtë infeksion është bërë uji i pijshëm. Vila shprehet se për të dalë në konkluzionin përfundimtar, nevojiten përgjigjet laboratorike. Sipas saj, po bëhen edhe analizat e ujit që kanë konsumuar pacientët. Personat e infektuar pohojnë se kanë mbërritur në spital të shtunën në mbrëmje. Ujësjellësi që furnizon lagjen “Guri i Bardhë” në qytetin e Urës Vajgurore merret në fshatin "Moravë”. Në lidhje me këtë rast, kanë nisur hetimet edhe nga strukturat e tjera lokale dhe ndërmarrja e ujësjellësit të qytetit.

20 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›