E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia, strategji për lëvizjen e automjeteve në kryeqytet



Bashkia e Tiranës ka përgatitur një strategji për mënyrën e lëvizjes së qytetarëve me automjete, apo duke iu rikthyer transportit me urban apo me biçikleta. Kjo mënyrë ka në qendër të saj në mbrojtjen e mjedisit dhe organizimin e lëvizjes në qytet. Në Bashkinë e Tiranës u prezantua faza e fundit e strategjisë së transportit të qëndrueshëm, që është financuar nga EBRD-Bank. Kryebashkiaku Edi Rama vlerësoi rëndësinë e takimit, duke e cilësuar me vlerë strategjike të ardhmërisë së qytetit, sa i përket lëvizshmërisë. Rama theksoi si tepër të rëndësishme vendosjen e ekuilibrit mes mjeteve private dhe mjeteve publike, duke rritur peshën e transportit publik. Në qendër të lëvizjes së qytetarëve duhet të vendoset lëvizja me biçikletë, duke e rikthyer traditën. Për këtë, po krijohet edhe mundësia nëpër rrugët kryesore të qytetit, në të cilat janë vendosur disa korsi të veçanta. “Kjo strategji do i japë çdo përdoruesi të rrugës vendin e vet në sipërfaqen e saj, duke realizuar korsitë e rezervuara për mjetet BUS, korsitë për biçikletat, lëvizjen këmbësore të sigurt si dhe vetë përcaktimin e zonave këmbësore në vetvete”,- u shpreh Rama. Projekti i Bashkisë së Tiranës do të përcaktojë referencat përfundimtare të Qendrës së Kontrollit të Trafikut, i cili parashikohet të fillojë brenda këtij viti dhe synon menaxhimin e trafikut në qytetin e Tiranës. Kështu do të rregullohen dhe do të jenë në dispozicion të plotë rrjeti semaforik i vendosur tashmë si dhe e të gjithë teknologjisë së nevojshme për menaxhimin dhe kontrollin e trafikut.

Dita Kombëtare e Jetimëve, kërkohen politika të reja për trajtimin
Trajtimi i fëmijëve jetim kërkon hartimin e politikave të ndryshme për mbrojtjen dhe ngritja e disa shërbimeve për t’iu mundësuar jetesën. Me rastin e 20 majit, “Ditës Kombëtare në Ndihmë të Jetimëve Shqiptarë”, do të organizohet një takim i veçantë me fëmijët e mbetur jetim dhe institucionet përkatëse për të gjetur një rrugë të re për mbështetjen e tyre nga shteti.
Problemet sociale me të cilat haset shoqëria shqiptare si, papunësia, polarizimi social, lëvizja e pakontrolluar e popullsisë, emigracioni, prishja e familjeve tradicionale, rritja e numrit të divorceve, etj, kanë ndikuar në rritjen e numrit të fëmijëve jetimë dhe të braktisur. Punonjësit socialë vlerësojnë se në shoqërinë tonë ashtu si në çdo shoqëri tjetër sado moderne të jetë, ka fëmijë jetimë, biologjikë dhe socialë, që për shkaqe të ndryshme kanë humbur prindërit dhe kanë nevojë për mbrojtje sociale të veçantë të shtetit dhe shoqërisë. Për këtë çështje do të diskutohet dhe do të jetë slogani i aktivitetit në Ditën Kombëtare në ndihmë të Jetimëve, që do të mbledhë rreth 140 fëmijë të mbetur jetimë. Ky aktivitet sensibilizues, i cili do të përshëndetet nga ministri i Punës, Kosta Barka, ka si synim mbështetjen dhe integrimin me dinjitet të fëmijëve jetime në jetën sociale. Sipas Shërbimit Social Shtetëror, për mbrojtjen e fëmijve jetim, duhet të bëhet evidentimi i tyre për të përfituar nga statusi i jetimit. Ky status, jepet nga SHSSH-ja dhe aktualisht përfitohet nga 845 persona, ku 390 janë femra dhe 445 meshkuj.

Kukës, 70 për qind e qytetarëve të prekur nga sëmundjet për mungesë Jodi

Rreth 70 për qind e popullsisë që jeton në Kukës janë të prekur nga sëmundja e Strumës, e cila shkaktohet për shkak të mungesës së Jodit që merret nëpërmjet konsumimit të kripës. Alarmin e jep Drejtori i ISHP-së së rrethit të Kukësit, Neritan Biba, i cili iu kërkon qytetarëve që të mos konsumojnë kripë të zezë pasi ka mungesë të Jodit. Biznesit në qarkun e Kukësit i është ndaluar tregtimi i kripës së zezë, pasi është vënë re mungesa e jodit tek kjo lloj kripe, gjë që rrit rrezikun e prekjes nga sëmundja e strumës, një sëmundje mjaft e përhapur te banorët e verilindjes.
Sipas drejtorit të ISHP-së, krahas kontrolleve u është kërkuar tregtarëve ndalimi i tregtimit të kripës së zezë për konsum për shkak të nivelit të ulët të jodit që përmban ajo. Shkaku i një mase të tillë, nga institucionet shëndetësore është niveli i lartë i të sëmurëve në këtë zonë me sëmundjen e strumës, që në gjuhën popullore quhet sëmundja e gushës. Nga kontrollet e ushtruara gjatë këtij viti rezulton se mbi 98 për qind e konsumatorëve përdorin kripë të jodizuar, ndërsa për situatën e krijuar u është kërkuar që kjo lloj kripe të përdoret edhe për blergtorinë, për shkak se kësisoj rritet niveli i jodit edhe te nënproduktet blegtorale.

20 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›