Shkarkimi i Spahiut, Alibeaj: Më 15 shkurt miratohet raporti
Komisoni Hetimor për shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu ka nisur mbledhjen e tij të dytë ndërsa ka caktuar 15 shkurtin si datën kur do të miratohet edhe raporti i komisionit hetimor. Në mbledhjen e sotme kreu i komisionit Enkelejd Alibeaj ka bërë prezantimin e programit të punës dhe mënyrën e kryerjes së hetimeve për veprimtarinë e nënkryetarit të KLD-së Spahiu.
Në fjalën e tij Alibeaj ka theksuar se në intervistat e dhëna nga Spahiu, temë nuk ka qënë funksionimi i tij në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ndërsa ka shtuar se janë mbledhur fakte edhe nga mediat dhe faqet në internet. “Marrja me politikë përbën shkelje flagrante të detyrës. Nga marsi 2011, Spahiu ka zhvilluar 43 tubime me Aleancën Kuq e Zi. Në këtë lëvizje ai ka shprehur qëndrimin e tij” theksoi Alibeaj ndërsa ka shtuar ka ulje të veprimtarisë funksionale në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Sipas Alibeajt, nënkryetari i KLD-së ka dërguar letra diplomatike drejt Kosovës dhe Greqisë të cilat nuk kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor ndërsa ka shtuar se ai ka takuar shqiptarë jashtë vendit dhe nuk ka folur për drejtësinë. Alibeaj gjithashtu ka theksuar se Kushtetuta parashikon mekanizmat për shkarkimin e zyrtarëve të lartë ndërsa për rastin e Kreshnik Spahiut, anëtarët e KLD duhet të jenë të pavarur.
Në planin e hetimit të paraqitur sot në komisionin, Kreshnik Spahiu do të hetohet për devijim nga funksioni kushtetues duke u angazhuar në politik si dhe abuzim me detyrën me largime afatgjata. Sipas Alibeajt plani i hetimit për Spahiun do të përmbajë veprime hetimore konkrete duke u marrë edhe dokumentacioni në KLD, pamjet nga mediat, ekspertizë financiare dhe deklarata e Spahiut në komision. Ndërkohë seanca e radhës e komisionit parlamentar për hetimin e numrit dy të KLD-së Kreshnik Spahiu është më datën 8 shkur ndërsa sipas Alibeajt plani i hetimit do të realizohet deri më 9 shkurt.