Deklarata/“Shqipëria, vend i tolerancës dhe lirive të garantuara”
Kryeministri Berisha u ndal dje edhe tek kërkesa e bërë e grupeve me orientim seksual të ndryshëm për zhvillimin e një manifestimi në Tiranë.
Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria është vend i lirë dhe nuk pengon asnjë manifestim, i çdo lloji qoftë ai. Kryeministri tha se qeveria ka miratuar një ligj, i cili mbron të drejtat e këtij komuniteti, sepse këto pakica kanë nevojë për një mbrojtje ligjore. “Ka një debat që ka shpërthyer kohët e fundit, lidhur me kërkesën e bërë për një manifestim të grupeve me orientim seksual të ndryshëm. Shqipëria është vend i lirë. Nuk mund të ketë dhe nuk mund të mendojë askush, që ne do të kufizojmë manifestime, demonstrata, cilado qofshin ato. Ky është rregull i lirisë. Ne kemi miratuar një ligj dhe ai ligj ka qenë i domosdoshëm, sepse është e vërtete se pakicat e natyrave të ndryshme kanë nevojë për një mbrojtje ligjore dhe në këtë kontekst, unë vlerësoj qëndrimin e Komisioneres për të Drejtat e Pakicave dhe reagimin e saj, si reagim adekuat dhe të përshtatshëm ligjor”, tha ai.
Kryeministri e cilësoi si të papranueshme deklaratën e bërë nga kryetari i PLL dhe aleatëve të tjerë, pasi, siç tha ai, njerëzit mund të shprehin vetën e tyre në këtë vend, në përputhje me ligjet e vendit. “Reagimi i kryetarit të Partisë së Legalitetit ishte aspak përgjigje mbretërore, sepse edhe vetë janë parti e tolerancës dhe ata e kanë faktuar këtë. Ndaj ka qenë një teprim, se nuk mund të bëhet fjalë që njerëzit të mos mund të shprehin veten e tyre në këtë vend, në përputhje me ligjet e vendit”.
Kryeministri Berisha theksoi se orientimi i ndryshëm seksual është një realitet i lashtë, i cili ekziston pavarësisht nga besimet apo bindjet politike, ndaj nuk mund të ketë as edhe një lloj pengese për ata që duan të protestojnë apo manifestojnë, sepse Tirana është qytet i tolerancës dhe Shqipëria është një vend i lirive të garantuara. “Orientimi i ndryshëm seksual është një realitet i lashtë sa vetë lashtësia. Një realitet, i cili ekziston për hir të së vërtetës, pavarësisht nga besimet apo bindjet politike. Ndaj nuk mund të ketë as edhe një lloj pengese”, tha më tej kryeministri.