E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet Dunga Leonardo drejt stolittë Brazilit

BRAZIL - Karlos Dunga dhe i gjithë stafi i tij janë shkarkuar nga drejtimi i kombëtares, pas humbjes 2-1 me Holandën në çerekfinale. Në një komunikatë të shpërndarë për mediat, Federata Braziliane bëri të ditur se ky është fundi i një cikli të nisur në Gushtin e vitit 2006 dhe që përfundoi me eliminimin nga Kupa e Botës në fazën çerekfinale. Në fakt, edhe vetë Dunga pati deklaruar se do të largohet nga drejtimi i kombëtares pas humbjes me Hollandën, duke qenë se ai ishte në fund të kontratës. Karlos Dunga erdhi në krye të kombëtares braziliane në korrik të vitit 2006, menjëherë pas disfatës në Kupën e Botës në Gjermani, që solli shkarkimin e ish-trajnerit Karlos Alberto Parreira. Ai arriti të fitonte Kupën e Amerikës Latine dhe Kupën e Konfederatave, por në Botëror u eliminua që në çerekfinale. Ndërkohë, dy janë kandidatët për të zëvendësuar Dungën pas këtij shkarkimi. I pari është Leonardo, trajneri që drejtoi Milanin në sezonin 2009-2010, ndërsa tjetri është Luis Felipe Skolari, tekniku që e shpalli Brazilin kampion në vitin 2002 në Japoni dhe Kore. Në fakt, është pikërisht Leonardo njeriu që shihet nga të gjithë si trajneri i Brazilit, teksa mediat njoftojnë se ai është kontaktuar tashmë nga Federata Braziliane. Kjo e fundit ndërkohë ka bërë të ditur se trajneri i ri do të zgjidhet në fund të muajit korrik.
(e.c/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›