Durrës, motorët e ujit, rrezik për pushuesit
Motorët e ujit vazhdojnë të shqetësojnë pushuesit edhe gjatë këtij sezoni turistik. Ndonëse është kërkuar nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, që të ketë kufizime në përdorimin e motorëve të ujit, ata vazhdojnë normalisht dhe këtë fundjavë të lëvizin në det fare pranë hapësirave të përdorura nga pushuesit për t’u freskuar dhe notuar. Përveç motorëve të ujit në afërsi të pushuesve që lahen në Adriatik mund të vëresh dhe ndonjë motoskaf, duke u shndërruar në një shqetësim të vazhdueshëm për sigurinë e jetës dhe në ndotës të mëdhenj akustikë në det. Pushues të ndryshëm ndajnë mendime të ndryshme për praninë dhe përdorimin e tyre. Të rriturit dhe fëmijët i shohin si një rrezik i vazhdueshëm për jetën e tyre, ndërsa pushojnë buzë Adriatikut dhe lahen në të. Ndërsa më të rinjtë ndonëse pranojnë se motorët e ujit janë të rrezikshëm, thonë se ato janë pjesë e kënaqësisë dhe aventurës që dhuron frekuentimi i plazhit. Janë kryesisht adoleshentët dhe të rinjtë e moshave 20-vjeçare që i shohin ato si mjete argëtimi. Një çift nga Kosova tregon rastin e 2 ditëve më parë kur një tjetër pushues përfundoi në spitalin e Kavajës i goditur nga një motor uji dhe “falë ndërhyrjes së shpejtë mjekësore ndodhet në gjendje të mirë”. Megjithëse është kërkuar që ato të përdoren në territore të veçanta ujore dhe larg vendeve ku lahen pushuesit, situata vazhdon e njëjtë.
Sezonin e kaluar një pushues nga Kosova u nda nga jeta për shkak të goditjes së marrë në kokë nga një motor uji i drejtuar nga një i ri që asnjëherë nuk u arrit të identifikohet. “Ne kemi shumë frikë kur i shohim. Sidomos kur duam të zhytemi. Ato të kalojnë sipër dhe rrezikojnë të të këpusin kokën. Pastaj bëjnë dhe shumë zhurmë. Të shurdhojnë”, thonë dy kushërira të vogla, 10-vjeçare nga rrethi i Dibrës, të cilat kanë ardhur prej pak ditësh me pushime në plazh, duke shprehur shqetësimin e tyre për motorët që janë kthyer në fenomen negativ për pushime të qeta dhe të sigurta në det. Ministri Basha ka deklaruar se deri më 5 korrik pranë çdo prefekture duhet të ngrihen shtabet e punës për hartimin e planeve konkrete të punës që të sigurohet sezoni turistik dhe mbarëvajtja e tij pa cenuar shëndetin a jetën e pushuesve. Një muaj më parë në Prefekturën e Durrësit u kërkua nga njësitë e pushtetit vendor që kanë dalje në det, që të përcaktojnë vendet se ku mund të shfrytëzohen nga pushuesit sportet e ujit, për të mos rrezikuar jetën e qytetarëve. Megjithatë, bashkitë e komunat e kanë lënë në harresë kërkesën e policisë kufitare e cila gjithashtu nga ana e vet është treguar pasive për të ndaluar qarkullimin e tyre jo larg bregut të detit.
#