E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëdorëzohet atentatori i futbollistit të Flamurtarit

Vlorë

është vetëdorëzuar në policinë e Vlorës autori i plagosjes së futbollistit të Flamurtarit. Sipas policisë, Endri Rrokaj, 23 vjeç, me banim në qytetin e Vlorës, autor i plagosjes së Armando Myrtajt, është vetëdorëzuar pas bashkëpunimit që ka pasur policia me të afërmit e tij. Këta të fundit e kanë bindur 23-vjeçarin të dorëzohet në polici rreth orës 01.30 të së dielës. Në momentin e vetëdorëzimit i riu ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore, pasi ka pasur fraktura në trup, kokë dhe fytyrë, si pasojë e goditjeve. Policia, duke parë gjendjen e vështirë shëndetësore të tij, e ka dërguar në spital për të marrë mjekimin e nevojshëm. Rrokaj ka pranuar plagosjen e Myrtajt, por sipas tij, e ka kryer atë për vetëmbrojtje. Pas marrjes në pyetje, Endri Rrokaj ka deklaruar se me Armando Myrtaj ka pasur grindje të shpeshta për motive të dobëta. Sipas autorit të plagosjes me armë, Endri Rrokaj, i cili i ka shpjeguar policisë kriminale ngjarjen, “ka qenë një moment kur unë kam qenë në zonën e Skelës kur me anë të një telefonate nga futbollisti, jam ftuar për një kafe në zonën e stadiumit, pasi Myrtaj sapo kishte dalë dhe nga stërvitja. Pasi kemi debatuar në rrugë për një çështje që ishte, për ngacmimin e një femre, jemi futur të dy në makinën time dhe atje jam dhunuar fizikisht nga futbollisti. Pasi Armandua më ka qëlluar disa herë në pjesë të ndryshme të trupit ka dalë nga makina dhe ka ikur po në drejtim të stadiumit “Flamurtari”. Në një gjendje gati të fikëti unë e kam ndier veten keq dhe pa e menduar mirë kam nxjerrë pistoletën nga makina duke ia drejtuar dhe e goditur në pjesën e këmbës, për ta plagosur dhe jo për ta vrarë”. Ky ka qenë dhe versioni i Rrokajt, i cili qëlloi me armë tip pistoletë futbollistin e Flamurtarit. Policia do të verifikojë dëshminë e 23-vjeçarit, do të marrë edhe dëshminë e futbollistit Myrtaj si edhe të personave të tjerë që e kanë parë nga afër ngjarjen. Endri Rrokaj akuzohet nga policia për tentativë vrasjeje, si dhe armëmbajtje pa leje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›