Del Boske: Gjermanët janë rritur shumë pas Euro 2008
AFRIKE EJUGUT - Spanja i është rikthyer përgatitjeve pas fitores me Paraguain, ndërsa tashmë skuadra e drejtuar nga Vicente Del Boske synon të arrijë për herë të parë në finalen e një kampionati botëror. Spanjollët do të ndeshen të mërkurën me Gjermaninë, në një përsëritje të finales së Europianit 2008, por ekipi i drejtuar nga Joakim Lëv duket shumë herë më i frikshëm, pasi ka eliminuar Anglinë dhe Argjentinën. Edhe për këtë takim shpresat e tifozëve janë tek sulmuesi David Vija, autor i 5 golave, ndërsa trajneri Vicente del Boske ka kërkuar nga skuadra që të rikthehet në stilin e saj të zakonshëm, me qarkullim topi dhe me lojë të shpejtë. “Besoj se të gjithë e shohim ndryshimin e kombëtares gjermane që nga Europiani deri tani, - u shpreh Del Boske. - Janë bërë një skuadër shumë e mirë, ndonëse gjermanët kanë qenë gjithnjë të fortë në kampionatet Botërorë. Por, mendoj se kanë avancuar shumë në krahasim me Europianin e fundit, deklaroi më tej ai. Lajmi i mirë për spanjollët lidhet me rikuperimin e plotë të Fabregas dhe Pujol, që patën probleme pas ndeshjes me Paraguain. Në këtë mënyrë, Del Boske do të ketë mundësinë të hedhë në fushë formacionin më të mirë ndaj gjermanëve. Ndërkohë i pyetur në lidhje me një dëshirë për hakmarrje të gjermanëve për shkak të humbjes në Europian, Del Boske e hodhi poshtë këtë, duke thënë se ata duan vetëm finalen e Botërorit dhe jo të hakmerren për disfatën në Vjenë.
(e.c/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.c/A.Latifi/BalkanWeb)