Shkarkohet Komisioni i Apelit në FSHF

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka shkarkuar Komisionin e Apelit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Në një deklaratë për shtyp ky komitet thekson se shkarkimi është bërë pasi ky komision nuk ka zbatuar si duhet rregulloren dhe si pasojë e ngjarjeve të javës së 18 të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë Superiore. Më tej në dekalratë thuhet se komiteti ekzekutiv do të mblidhet përsëri, brenda kësaj jave, për të vijuar me analizën e ngjarjeve të dhunshme dhe masat për mospërsëritjen e veprimeve të tilla të dënueshme.
Ndërkohë FSHF-ja në një deklaratë për shtyp është shprehur e shqetësuar për aktet e dhunës që janë shfaqur në ndeshjet e javës së 18 - të Superligës, të cilat, pavarësisht mbarëvajtjes së mirë së aktivitetit, kërkojnë që të prishin imazhin e futbollit shqiptar. "Federata Shqiptare e Futbollit dhe i gjithë komuniteti futbolldashës, dënon aktet e dhunës në fushat shqiptare. Dënon shkeljet e Rregullores dhe aktet e dënueshme që s' knë asgjë të përbashkët me zhvillimimin normal të lojës" thuhet në deklaratë.
Gjithashtu FSHF-ja ka dënuar ngjarjen e rëndë të ndodhur në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa", gjatë ndeshjes Tirana-Dinamo, ku pas konfrontimit mes futbollistëve dhe drejtuesve të të dyja skuadrave, në fushë kanë zbritur edhe tifozë që kanë shkatërruar gjithçka që mund të mbetej nga një ndeshje futbolli.
"FSHF-ja i bën thirrje forcave të policisë, organizmave shtetërore dhe të gjithë atyre faktorëve që kontribojnë për të mirën e futbollit, që të japin më të mirën e tyre për zhvillimin e lojës dhe për të siguruar mbarëvajtjen e garës" thuhet në deklaratën për shtyp.
Ndërkohë FSHF-ja thekson se është e vendosur që nëpërmjet komisioneve dhe organizmave të saj, të dënojë të në mënyrën më të ashpër, aktet e dhunës dhe t'u hapë atyre, dënimin e merituar në bazë të Rregulloreve dhe Ligjeve të Futbollit.