Spanjë, arrestohen 5 të dyshuar si anëtarë të ETA-s
Policia spanjolle ka arrestuar të martën pesë të dyshuar si anëtarë të grupit separatist bask ETA. Sipas policisë vendase, ata mund të jenë të përfshirë në një sulm me makinë bombë që ka ndodhur në një stacion policie në shtator të vitit 2008. Të dyshuarit, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur ende, janë arrestuar herët mëngjesin e së martës në kufirin e provincës baske, midis Biskajës dhe Guipuxkoas. Operacioni, i urdhëruar nga gjykatësi i Gjykatës Kombëtare Eloi Velasko, ka vijuar më tej edhe në qytetet e Ondarroas, Debas dhe Mutrikut. Por policia nuk ka njoftuar për arrestime të tjera. Shumë shtëpi dhe prona i janë nënshtruar një kontrolli të imtësishëm nga ana e forcave policore. Spanja e ka rritur në 2 nivelin e alarmit anti-terrorizëm, që është një nivel më pak se ai maksimali. Rritja e nivelit ka ardhur gjatë periudhës së Krishtlindjes, si mënyrë për të reflektuar rritjen e gatishmërisë për sulme të mundshme në vend gjatë kohës gjashtë mujore që Spanja do të ketë drejtimin e Presidencës së Bashkimit Europian, që ka nisur më 1 janar dhe përfundon më 30 qershor të këtij viti. Më herët gjatë muajit janar, policia ka arrestuar katër të dyshuar si pjesëtarë të organizatës terroriste ETA, në Francë dhe Portugali.