E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet drejtori i urbanizmit

Nga Express më 12 mars 2011 në ora 19:30

Kreu i Hanit të Elezit, Rufki Suma, ka marrë vendim për shkarkimin nga detyra të drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit, Nexhmendin Daci. Kjo për shkak të sjelljeve jo të mira me zyrtarët tjerë komunalë. Ai ka thënë të jetë përcaktuar për këtë vendim pasi Daci jo vetëm një herë nuk është sjellë mirë me zyrtarët tjerë komunalë.

"Ai ka qenë shkaktari edhe i incidentit të fundit me këshilltarin tim, Mallzum Qajani të enjten", ka nënvizuar Suma. Lidhur me incidentin e përmendur nga kryetari Suma, burime të tjera i kanë thënë KD-së se ka ndodhur gjatë diskutimit publik për vlerësimin strategjik të mjedisit në Planin zhvillimor komunal të Hanit të Elezit.

"Daci disa herë i ka ndërhyrë Qajanit, derisa ky i fundit po shpaloste aspekte të planit", ka thënë Bashkim Sopa, zëdhënës i Komunës. Sipas tij, zënka verbale është përshkallëzuar pas përfundimit të diskutimit publik. Incidentin policia e ka raportuar si rrahje ndërmjet dy personash.

"Dy persona janë përfshirë në rrahje, ndërsa njëri ka pësuar lëndim të lehtë trupor", ka thënë togeri Jaser Jaha, u.d. i komandantit të Stacionit Policor në Kaçanik që e mbulon edhe Hanin e Elezit.

Ai ka thënë se nuk ka të arrestuar, ndërsa rasti ka kaluar në procedurë të rregullt gjyqësore.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›