E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do të rrisim rrogat e pensionet më 1 korrik

Në mbledhjen maratonë të Këshillit të Ministrave, ku janë miratuar 81 vendime qeverie, Kryeministri Berisha ka deklaruar se "më 1 korrik do të rriten pagat, pensionet dhe ndihma ekonomike e shtresave në nevojë, në qytet dhe në fshat, në përputhje të plotë me rritjen e çmimeve". Rritja e pagave dhe pensioneve do të variojë nga 5-20%, ku më të privilegjuarit janë sektori i shëndetësisë dhe ai i arsimit, ndërsa pensionistët do të kenë rritjen më të vogël. "Pensionistët, shtresat në nevojë ekonomike dhe buxhetorët, kudo ku janë, në qytet dhe në fshat, do të kompensohen një për një për rritjen e çmimeve. Ju siguroj se më 1 korrik, pagat dhe pensionet do të rriten dhe ajo do të jetë e tëra në përputhje me rritjen e çmimeve që prekin pagën e tyre", tha Berisha, duke shtuar se ky është një vendim i prerë. Kryeministri Sali Berisha nuk ka dhënë ende një shifër konkrete se sa do të jetë rritja, por deri tani janë akorduar 15 milionë euro për kompensimin e pensioneve dhe rrogave të ulëta. Për të rritur pagat me 10%, qeveria duhet të shpenzojë 50 milionë euro, por deri tani shuma e akorduar është vetëm 15 milionë euro. Kryeministri është shprehur se qeveria do të ndihmojë shtresat në nevojë, familjet që trajtohen me asistencë sociale dhe punonjësit buxhetorë me paga të ulëta, ndërsa po zhvillon një mekanizëm për kompensimin e rritjes së çmimeve kryesore. Gjatë ditëve të fundit, në Kuvend u zhvillua një debat i ashpër mbi faktin nëse pagat dhe pensionet do të rriten apo jo këtë vit. Kryeministri Berisha dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, përsëritën shumë herë se pagat do të rriten, por nuk dhanë shifra konkrete. Ministri Bode është shprehur se "rritja do të jetë ashtu siç është premtuar". Vetë Berisha deklaroi se do t‘i rrisë pagat dhe pensionet, por gjithashtu nuk sqaroi detaje. Një muaj më parë, Ministria e Financave deklaroi se rritja e pagave me 10% dhe rritja e pensioneve me 5-10% do t‘i kushtonte buxhetit të shtetit rreth 50 milionë euro, për gjashtë muajt e dytë të këtij viti, por deri tani shuma e akorduar për pensionet dhe rrogat është shumë herë më e vogël se sa ajo që është premtuar. Kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij u shpreh se "qeveria i përmbahet zotimeve të saj, ajo është qeveri e fjalës së dhënë dhe e premtimit të mbajtur". Na mbetet për të pritur edhe një muaj për të vërtetuar nëse qeveria do ta mbajë fjalën e saj apo jo.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›