E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkatërrimi i familjes Laçi nga tragjedia e Gërdecit, shteti indiferent prej 1 viti

Jetesa e vështirë e familjes 4 anëtarëshe, në ish fabrikën e letrës  
Pushtetarët e Kavajës nuk kanë ofruar asnjë ndihmë për familjen që humbi një pjesëtar nga tragjedia e Gërdecit, më 15 mars të vitit të kaluar. Nafije Laçi vdiq pa disa ditësh nga shpërthimi në një spital në Itali, por edhe pas një viti, dhimbja në familjen që jeton tek ish- fabrika e letrës nuk është fashitur ende. Nafije Laçi, bashkëshortja e Mustafa Laçit dhe nënë e tre fëmijëve vdiq një javë pas shpërthimit në spitalin italian të Brindizit, si pasojë e djegieve të shumta që pësoi nga shpërthimi. Tashmë kur ka kaluar plot një vit nga kjo ngjarje e tmerrshme, familja që është vendosur me qira në ambientet e ish- fabrikës së letrës në qytetin e Kavajës, ka pritur shumë ndihmën e pushtetit. Mustafai, babai i tre fëmijëve, i cili gjendej në fabrikë ditën e shpërthimit bashkë me gruan e tij dhe djalin e madh thotë se asnjë ndihmë nuk ka marrë gjatë këtij viti nga shteti. Një ditë para ngjarjes së tmerrshme për gjithë shqiptarët, në 14 mars ai me fëmijët dhe nënën ka shkuar në Gërdec, aty ku ndodhi shpërthimi për të kujtuar humbjen e personit të afërt. Ndihmë ai ka kërkuar kudo, në bashki, prefekturë në takime me deputetë të Kavajës dhe persona të tjerë me pushtet. Kam takuar kryetarin e bashkisë dhe i thashë që të paktën të më jepnin një nga hyrjet e pallatit që do të ndahet për të pastrehët. Por ai ma ktheu se "janë shumë të pastrehë dhe nuk kam se çfarë të bëj". Ne tani jemi një familje e goditur nga ajo ngjarje e rëndë. Ikëm nga Kavaja në Gërdec se nuk kishim punë, nga halli shkuam për pak lekë, sepse në fakt ato ishin lekë me gjak, tregon Mustafai, duke shtuar se ka takuar edhe prefektin, Bardhyl Rexha dhe kryetarin e këshillit bashkiak, Fehim Kazazi, por edhe pas këtyre takimeve nuk është bërë e mundur që së paku të jepet ndihmë ekonomike për këtë familje. Shpresa e tij e fundit ka qenë marrja e ndihmës ekonomike që jepet për familjet e varfra dhe në nevojë, por edhe kjo nuk është miratuar në mbledhjet e këshillit bashkiak, të cilat zhvillohen rregullisht çdo muaj. Këshilltarë të veçantë kanë kërkuar që për këtë familje të merret në konsideratë tragjedia që kishte ndodhur, sepse në bazë të ligjit asaj nuk i takon ndihmë ekonomike sepse është familje e ardhur në Kavajë pas vitit 1997. Këshilltarja e pavarur, Fatbardha Biturku ka kërkuar në këshillin bashkiak që familja Laçi të futet në skemën e ndihmës ekonomike, por reagimi i kryetarit të këshillit bashkiak, Kazazi ka qenë se ne nuk mund të shkelim ligjin. Mustafai vetë, pas ngjarjes së një viti më parë ka qëndruar për 7 muaj me radhë me një pajisje për rikuperimin e dëmtimeve që ka pësuar në rruazat e qafës, ndërkohë që dëmtime ka pësuar edhe në shtyllën kurrizore. Prej një viti ai nuk ka punuar fare, ndërkohë që shteti nuk ka caktuar as kemp për të dhe as pension për tre fëmijët jetimë të tij. Kam takuar deputetin e Kavajës, Engjëll Cara, por vetëm fjalë të mira kam dëgjuar. Fakti është se pas një viti nuk kam përfituar asgjë. Vetëm lekët që na dha shteti në fillim për shkak të vdekjes së gruas dhe me ato kemi mundur të jetojmë deri tani. Megjithëse deputeti i zonës ku ndodhi shpërthimi, Astrit Patozi, është djalë Kavaje, ne shpresuam se diçka do të bënte por kjo nuk ndodhi. Nuk mund të lihet një familje kështu, jemi të braktisur nga të gjithë, shton Mustafai. Tashmë familja jeton në banesën e improvizuar tek ish- fabrika e letrës, me nënën e tij dhe tre djemtë. Më i madhi prej tyre është 16 vjeç, kurse i vogli vetëm 9 vjeç. Jetoni shkon në shkollë dhe qëndron ngjitur me babain e tij gjatë gjithë kohës. Ai është në klasën e shtatë, me mësimet tregon se shkon mirë, por vendi ku banon nuk i pëlqen. Nuk më pëlqen këtu. Shtëpia fut ujë brenda dhe është shumë ftohtë. Nuk kemi pasur asnjë ndihmë gjatë një viti dhe dua që të ikim që këtej, por nuk kemi mundësi, shprehet Jetoni. Në fund të takimit tonë me familjen Laçi, Mustafai nuk harron të thotë se nuk është përzier me debate, tubime apo grumbullime që janë bërë për të përkujtuar 15 marsin, sepse ai interesohet vetëm për familjen e  tij, e cila një vit pas tragjedisë gjendet në një udhëkryq të vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›