E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Shkel e shko’ për përvjetorin e “Odës”

Për herë të dytë teatri “Oda” merret me tekstet e David Mamet, autor i njohur në dramaturgjinë Amerikane dhe në gjithë botën për dinamikën e dialogut.

Këtë herë ky tekst i këtij autor inskenohet në regjinë e Burbuqe Berishës. Është fjala për shfaqjen “ Shkel e Shko” apo “ Speed the plow”, e cila jepet të premten mbrëma premierë për nder të shtatë vjetorit të teatrit “Oda”.

“Përvjetori i Odës zakonisht festohet me ndonjë premierë, këtë herë ka rastisur me qenë afër shfaqja e Burbuqe Berishës”, tha Florent Mehmeti, drejtor i teatrit “ Oda”

Shfaqja “ Shkel e Shko” fokusohet në natyrën e Holliwood-it si dhe industrinë e filmit. Ku kjo jetë paraqitet nëpër mes tri personazheve Bobi Gold, producent filmi, Çarli Foks, skenarist dhe Karen, një aktore, kjo e cila është e infiltruar në studion e Bobit si dhe sekretaresh. Regjisorja e shfaqjes këto personazhe i personifikon me aktorët Armend Ismajli,Ylber Bardhi dhe Vlora Nikçi.

“Disa prej ekipit të shfaqjes janë për herë të parë në bashkëpunim me mua dhe jam ndarë shumë e kënaqur. Autorin që e kam zgjedhur njihet për dialogë të jashtëzakonshëm, ndërsa ky është një tekst i tij që lidhet me problematikën që unë e dua dhe që korrespondon me kohën”, shprehet regjisorja e shfaqjes Burbuqe Berisha.

Sipas autores teksti i përzgjedhur nga ajo, jo rastësisht ka rëndësinë e veçantë për të.
“Ky tekst është më shumë i ndërtuar për film, kjo ndoshta është dhe kënaqësia ime që loja e aktorëve të jetë natyrale si në film, dhe mendoj që aktorët ia kanë arrit të krijojnë”, thotë Berisha.

Sipas Berishës, problemet që i kalon Holliwudi, edhe pse jemi shtet i vogël, me të njëjtat probleme pra ballafaqohemi edh ne. “Për ta krijuar një film është rrugë shumë e gjatë, dhe e mundimshme për të arritur deri te fondet”, thotë Berisha. Ndërsa në njëfarë mënyre këto probleme mund të njihen apo të paktën të mos mbeten tabu me inskenimin e kësaj shfaqje.

Pjesa tjetër e ekipit janë: asistent regjie: Valjet Rexhepi, muzika: Ilir Osmani, skenografia: Suzana Harxhi, kostumografia: Albulena Borovci, fotot: Samir Karahoda.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›