Shkelën afatin e qëndrimit, gjobiten 3 turq
RINAS
Arrestohet edhe një grua me dokumente të falsifikuara, udhëtonte në drejtim të Gjermanisë
TIRANE- Gjobiten tre turq nga Policia Kufitare e kryeqytetit, për shkelje të afatit të qëndrimit në Shqipëri sipas lejes së dhënë nga ky Insitutcion për ta. Tre turqit janë gjobitur nga shërbimet e Policisë Kufitare të Aeroportit të Rinasit gjatë kohës që ata ishin në dalje në drejtim të Stambollit nëpërmjet linjës ajrore turke "Turkish airlines".
Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të policisë së kryeqytetit, të cilët pohuan se ndaj tre personave me shtetësi turke është marrë masa e ndëshkimit me gjobë në shumën 10 mijë lekë të reja.
"Dje janë gjobitur në dalje të pikës së kalimit kufitar Rinas, 3 shtetas të huaj me shtetësi turke me vlerë 10 mijë lekë, pasi kanë kaluar afatet e qëndrimit në Republikën e Shqipërisë",- pohoi nëpërmjet një komunikate zyrtare policia e Kufirit dhe Migracionit të Tiranës, për masën e marrë në aeroport.
Të ndëshkuarit sipas burimeve, mësohet se kishin deklaruar qëndrim tre mujor në vend ndërsa nuk kishin njoftuar shtyerjen e qëndrimit duke shkelur ligjin për qëndrimin e të huajve në vend.
Ndërkaq, dje në aeroportin e Rinasit, në pikën e tranzitit, efektivët e Policisë Kufitare kanë arrestuar një grua 32- vjeçare nga Pogradeci, e cila tentonte të kalonte në drejtim të Gjermanisë me një vizë "Shengen" të falsifikuar.
Gruaja mësohet se është kapur në zonën e tranzitit, pas një verifikimi të shpejtë që kishin kryer me Ambasadën Gjermane në Tiranë autoritetet e komisariatit të Policisë së Rinasit. Ajo ka prentenduar se këtë vizë e kishte marrë në Ambasadën Gjermane, por konfirmimi i kësaj të fundit ka qenë i kundërt, çka ka bërë që policia t'i vërë prangat asaj.