Vlorë, deti ndotet nga anijet
Pushues të shumtë, të shtuar në javën e dytë të gushtit, thonë se uji ka marrë një ngjyrë të kuqe dhe ka erë
Shumë nga njerëzit e mbërritur në qytetin bregdetar i janë drejtuar spitalit për infeksionet e lëkurës
VLORË - Gjatë javës së dytë të gushtit, numri i pushuesve në Vlorë është rritur ndjeshëm. Të ardhur kryesisht nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, si dhe Maqedonia e Kosova, ata janë përballur me shumë probleme.
Por një nga më të fundit që duket se plotëson edhe kuadrin e këtyre probleme sivjet në Vlorë është ndotja e ujit të detit nga anijet që qëndrojnë në rad, ndotje e cila ka qenë në nivele të larta, pasi gjithçka mund të shihet me sy të lirë nga ngjyra që ka marrë deti, por edhe nga era e mbetjeve të karburantit.
Ndotjet
Pushuesit janë shprehur tepër të shqetësuar nga prania e tepërt e këtyre mbetjeve. Ata kanë deklaruar se ka pasur raste të ndryshme që janë paraqitur pranë bluzave të bardha për të marrë ndihmë mjekësore. Ndërsa nga institucionet përkatëse nuk është konfirmuar prania e ndotjes, edhe pse pushuesit i vënë një rëndësi të madhe.
"Dihet, - thotë Agron Bashllari, specialist pranë DSHP-së, - që zona të tilla me ndotje në qytetin e Vlorës ka, siç është plazhi nga Aulona e Vjetër deri tek Rruga Ura, si dhe nga Shkolla e Marinës deri tek ish-Vefa.
Këto janë zonat më të ndotura, për të cilat ne si specialistë dhe si institucion kemi kohë që kemi dhënë alarmin që këtu mos të lahen njerëz. Kjo për shkak se deti është i ndotur jo vetëm se është afër portit, por edhe se në këtë zonë derdhen akoma ujërat e zeza".
Ndërkohë, sipas një vëzhgimi të realizuar, rezulton se jo vetëm këto dy zona janë të ndotura, por dhe Plazhi i Ri ka filluar ndotjen totale për shkak të anijeve të mëdha të naftës e gazit, të cilat i derdhin mbeturinat brenda gjirit të Vlorës dhe afër pushuesve, duke mos respektuar asnjë kusht minimal për ambientin e detin.
Pushuesit
Një pushues maqedonas shqipfolës shprehet: "Ne na pëlqen Vlora. Është qytet i bukur, por që kur kam ardhur me pushime këtu, deti ka pasur një ndotje, ka marrë një si ngjyrë të kuqe, si dhe vjen era naftë. Me dritat e ujin këtu ku jemi akomoduar familjarisht kemi pasur shumë probleme. Kemi pa ujë për 3 ditë rresht, si dhe dritat ikin dhe vijnë sa herë të kenë qejf.
Gjithsesi, unë i kam rezervuar pushimet në Vlorë dhe këtu do t'i bëj, por vitin e ardhshëm do ta rishikoj Vlorën nëse do të vij sërish apo jo".
Megjithë problemet e deklaruara pushuesit janë shprehur tepër optimistë dhe të kënaqur për resurset e vijës bregdetare të qytetit të vlorës.
Sipas pushuesve atoritetet përkatëse duhet të marrin masa paraprake për zgjidhshmërinë e problematikave, si dhe për pastrimin e rërës si dhe masat urgjente për rikthimin e detit në gjendjen e mëparshme dhe parandalimin dhe bllokimin e anijeve të tilla të cilat ndotin këtë bregdet plazh të bukur të Vlorës.
Infeksionet, rritet numri i pacientëve
Ndërkohë Spitali Infektiv i Vlorës po përballet me një numër të lartë pacientësh që paraqiten përditë për të marrë ndihmën e parë mjekësore, të cilët sipas specialistëve kanë infeksion në lëkurë për shkak të ndotjes mbi normat e lejuara të detit.
Rritja e pacientëve konfirmohet edhe nga shefi i këtij reparti, Islam Islami, i cili bën me dije se problemi kryesor i ditëve të fundit janë infeksionet e ndryshme, të cilat vijnë si pasojë e ndotjes. Mësohet se në spital paraqiten çdo ditë mesatarisht 15 vetë që ankohen për infeksione të lëkurës.
Vlora, dita e tretë pa ujë
Vënia e një transformatori të ri duket se nuk e ka zgjidhur problemin e ujit të pijshëm në qytetin e Vlorës. Bëhet e ditur se pavarësisht pritjes dyditore me shpresën se situata do të përmirësohej, gjithçka ka vijuar në të njëjtën rrjedhë.
Edhe transformatori i ri është djegur duke shkaktuar ndërprerjen e furnizimit me energji të stacionit të pompave në Ujin e Ftohtë e si rrjedhojë lënien për të tretën ditë radhazi të pjesës më të madhe të qytetit të Vlorës pa ujë të pijshëm. Ndërkohë mësohet se fatmirësisht është arritur të rregullohet mungesa e energjisë elektrike.
Ankesat e pushuesve
Pushuesit kanë theksuar problematikën e zonës turistike e cila sipas tyre ka mungesa të ujit të pijshëm, por edhe dritave. Ndërkohë infrastruktura rrugore përbën një tjetër makth për drejtuesit e automjeteve.
Për të shkuar në plazh paradite në orët e para të mëngjesit, si dhe për t'u kthyer në mbrëmje të duhet të presësh disa orë, po aq sa do t'iu duhej të shkonin në një qytet tjetër.
E njëjta gjë ndodh në rastet kur duhet të frekuentojnë ndonjë pab a disko, pasi duhet të presësh me orë të tëra në trafik. "Në mëngjes mund të shkosh në destinacionin përkatës", ironizon një nga pushuesit duke shprehur kështu problemet e qytetit.