Shkelet protokolli, Topi, Berisha e Topalli, në Samitin e NATO-s
Shkelet protokolli shtetëror. Tre drejtuesit më të lartë të vendit, do të marrin pjesë në Samitin e NATO-s, në datat 3 dhe 4 prill.
TIRANË- Pavarësisht se samiti i radhës i NATO-s, mbahet më datat 3 dhe 4 prill, Shqipëria tashmë mund të konsiderohet një vend anëtar me të drejta të plota i kësaj organizate.
Kuvendi i Shqipërisë pritet të ratifikojë sot paketën e marrëveshjeve, me anë të të cilave do të ligjërojë të paktën nga ana procedurale, anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën e Atlantikut të Veriut (NATO) dhe kjo si një përgjigje ndaj ftesës që tashmë duhet të ketë mbërritur prej kësaj organizate në institucionet më të larta të shtetit.
Ndërkohë, është përcaktuar edhe delegacioni që do të paraqitet në samitin e radhës, ku ndryshe nga një vit më parë, Shqipëria do të përfaqësohet me një delegacion, në përbërje të të cilit, megjithëse në shkelje të protokollit tonë shtetëror, do të jenë të tre drejtuesit më të lartë të vendit, Presidenti i Republikës Bamir Topi, Kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Pjesë e tij do të jetë edhe ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, si dhe krerët e dy grupeve më të mëdha parlamentare, pra respektivisht Valentina Leskaj dhe Astrit Patozi. Nisur nga përbërja e këtij delegacioni, duket qartazi se ajo që ka këmbëngulur për të qenë pjesë e këtij delegacioni, edhe pse në shkelje të plotë të Protokollit, ka qenë Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila një vit më parë nuk ka qenë e pranishme, edhe pse po aq historike për Shqipërinë ishte edhe marrja e ftesës për në NATO.
Paketa "NATO"
Duke e konsideruar këtë moment si historik për aspiratat integruese të vendit tonë, seanca e sotme plenare është parashikuar të jetë e veçantë, pasi do t'i kushtohet vetëm kësaj çështjeje, pra miratimit të paketës së 5 projektligjeve, si një detyrim formal për palën shqiptare, për të pranuar pjesëmarrjen në këtë organizatë politiko-ushtarake.
Për këtë qëllim, seanca e sotme do të nisë më vonë se zakonisht dhe në të janë ftuar që të marrin pjesë edhe të gjithë ambasadorët e vendeve të NATO-s, të përfaqësuara në vendin tonë, përfshi ambasadorin amerikan, Xhohn Withers, atë anglez Fraser Wilson, etj., të cilët do të asistojnë në shprehjen e vullnetit nga ana e legjislativit tonë, në ratifikimin e marrëveshjeve të anëtarësimit.
Ndërkohë që, miratimi i këtyre marrëveshjeve, nënkupton në të njëjtën kohë dhe mbërritjen e ftesës zyrtare nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate, Jap de Hop Schefer. Ftesa mbetet një domosdoshmëri për kalimin e paketës së projektligjeve, pasi ajo ka disa javë që është miratuar në komisionet parlamentare dhe ishte nxjerrë nga agjenda e punimeve në seancat plenare, pikërisht për këtë arsye.