E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitje me maska në mes të rrugës

Dy persona nën kërcënimin e armëve kanë grabitur në rrugë një drejtues automjeti duke i marrë 2 milionë lekë


KURBIN - Rikthehen grabitjet me armë në Kurbin. Dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë grabitur një drejtues të një mjeti nga Tirana, i cili po shpërndante mallin e një fabrike në rrethin e Kurbinit.

Grabitësit e armatosur me pistoleta, pasi i kanë zënë pritë drejtuesit të mjetit, e kanë detyruar atë të zbrazë xhepat dhe pasi i kanë marrë rreth 2 milionë lekë janë larguar në drejtim të Mamurrasit. Burime të sigurta bëjnë të ditur se grabitja ka ndodhur dje rreth orës 12:30 në aksin rrugor Mamurras - Laç.

Bledar Laca nga Tirana, i cili drejtonte një furgon të ngarkuar me sallam, kryente furnizimin e lokaleve me këto produkte dhe po mblidhte paratë, ka rënë pre e grabitësve. Sipas denoncimit të Lacës, dy persona të cilët udhëtonin me motor i kanë dalë përpara furgonit duke i zënë pritë në afërsi të kryqëzimit të fshatit Zhejë.

Grabitësit kanë qenë të maskuar me çorape në kokë, kanë lënë motorin në mes të rrugës dhe duke zbritur me shpejtësi i kanë drejtuar armët shoferit të furgonit. Nën kërcënimin e armëve Laca ka ndaluar mjetin e tij dhe është detyruar t'iu bindet urdhrave që ka marrë.

Njëri prej grabitësve e ka mbajtur nën trysninë e armës, duke e kërcënuar se do ta vriste nëse nuk do të tregonte se ku i kishte lënë paratë e grumbulluara, ndërsa grabitësi tjetër ka nisur kontrollin në automjet. Ata kanë mundur të marrin paratë dhe të gjitha sendet me vlerë që Laca kishte me vete. Sipas dëshmisë, dy grabitësit pasi i kanë marrë shumën e parave janë larguar me shpejtësi me motor në drejtim të Mamurrasit.

Pas marrjes së njoftimit mbi grabitjen, policia e Kurbinit ka nisur edhe kërkimet për gjetjen e dy grabitësve me maska. Uniformat blu kanë bllokuar të gjitha rrugëkalimet, ndërsa ka nisur edhe krehja e zonës dhe mbledhja e informacionit, por pa mundur që të gjejë autorët.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›