E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkelin bojkotin. PS pjese e delegacionit europian

Opozita thyen bojkotin dhe niset drejt Brukselit për të diskutuar 12 prioritetet e Bashkimit Europian për integrimin e Shqipërisë. Pas një bojkoti një mujor opozitar në Parlamentin shqiptarë, 7 deputetë të majtë dhe 7 të djathtë do të jenë sëbashku në një avion mesditën e të hënës për të marrë pjesë në takimin ndërparlamentar që do të zhvillohet këtë të martë në Parlamentin Europian.  Kryetari i delegacionit shqiptarë, Fatos Beja tregon për AS axhendën e punës së këtij takimi, duke theksuar se 12 rekomandimet e BE-se janë thelbi i diskutimit.
 
“12 prioritetet janë patjetër temë e diskutimit. Nga Shqipëria jemi 14 deputetë, nga PE janë përsëri 14 deputetë. Takimet që ne kemi pasur qoftë në Tiranë, qoftë në Bruksel, socialistët janë përfaqësuar dhe e vërteta është që dhe në parlamentin tonë ata kanë marrë pjesë në debatet në komisione, në debatet në seancat parlamanetare, kanë folur më shumë se sa deputetët e maxhorancës. Problemi i tyre ka qenë refuzimi për të marrë pjesë në votime. Kjo është një nga çështjet e cila bëhet problem në realizimin e 12 prioriteteve që ka Shqipëria në procesin e saj të integrimit në BE” tha Beja.

Mësohet se pjesë e axhendës së delegacionit drejt Brukselit është edhe ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe komisioneri për zgjerimin, Stefan Fyle. Mbledhja do të drejtohet nga dy kryetarët, Eduard Kukan, kryetar i delegacionit për Ballkanin dhe Fatos Beja, kryetar i delegacionit nga pala shqiptare.

Opozita do të përfaqësohet nga zv/kryetarja e delegacionit, Valentina Leskaj dhe Zv/kryetari i delegacionit për Ballkanin në PE Viktor Boshtinaru.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›