BSH: Koha për të blerë shtëpi, ulen çmimet
Banka e Shqipërisë konfirmon ulje të çmimit të banesave të paktën me 0.8 për qind. Tregu i ndërtimit, ndryshe nga parashikimet, paraqitet në krizë këtë fundvit. Edhe ardhja e emigrantëve nuk ka ndryshuar asgjë në këtë treg.
As emigrantët nuk po e ndryshojnë situatën në tregun e ndërtimit. Banka e Shqipërisë konfirmon me të dhënat e saj zyrtare krizën në këtë sektor. Të dhënat më të fundit që i përkasin tremujorit të tretë dhe parashikimeve deri në fund të vitit tregojnë se, niveli i çmimit të banesave ka rënë në masën 4,1 % në krahasim me një vit më parë. Ndërsa duke iu referuar statistikave të tremujorit të tretë të 2010-ës, niveli i çmimeve të shitjes së banesave ka rezultuar me 0.8 për qind më pak, duke vijuar prirjen ngadalësuese të ndryshimeve vjetore, të nisur që nga tremujori i tretë i vitit 2009. Banka e Shqipërisë gjykon nga analizat e bëra se rënia e çmimeve të banesave vlerësohet të jetë shkaktuar nga kontraktimi i kërkesës në një shkallë më të lartë sesa oferta. Duke filluar nga tremujori i tretë i vitit 2009, ecuria e ngadaltë e kërkesës private në ekonomi në përgjithësi, sipas institucionit financiar, është shoqëruar edhe me rënien e kërkesës për blerje banese dhe burimet e financimit të kësaj të fundit nga remitancat dhe nga kredia për blerje banese, kanë ardhur në rënie. Sipas Bankës së Shqipërisë, oferta për banesa është kushtëzuar nga rënia e numrit të lejeve të ndërtimit si dhe nga kushtet e shtrënguara të kreditimit të aplikuara nga bankat e nivelit të dytë. Nga ana tjetër, niveli i çmimeve të qirasë së banesave është rritur me 3.2 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2010, në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Përsa i përket të njëjtit tregues, por në nivel vjetor është 0.3 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2010. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2010, të dhënat e Bankës Qëndrore tregojnë se niveli i çmimit dhe i qirasë së banesave kanë rënë përkatësisht me 2.8 dhe 13 për qind, duke shkaktuar rritjen e raportit çmim/qira. Ky raport, po sipas Bankës Qendrore ka qenë në rënie që nga tremujori i parë i vitit 2010. Në këtë mënyrë, edhe pse parashikimet e ndërtuesve flisnin për një situatë të përmirësuar në fundvit, me pretendimin se ardhja e emigrantëve në atdhe për festa do të sillte një investim të mundshëm nga ana e tyre në pasuri të paluajtshme, nuk rezultoi e vërtetë. Emigrantët që po kthehen në vend për pushime nuk po investojnë në tregun e pasurive të paluajtshme. Sipas krerëve të shoqatës së ndërtuesve shitjet kanë rënë ndjeshëm dhe si pasojë, ky sektor mbetet në kornizat e krizës. Ata sqarojnë se mungesa e likuiditetit në tregun e ndërtimeve është ndikuar edhe nga vështirësitë në marrjen e kredive. “Sektori i ndërtimit në Tiranë po ndeshet me një situatë të brishtë në kushtet e rënies të vëllimeve të aktivitetit dhe të një kërkese më të dobët. Në periudhat gusht-dhjetor -janar kanë qenë periudhat më pozitive për tregun e banesave, por sot situata e tregut ka ndryshuar. Edhe mungesa e kreditimit ose kreditimi i kushtëzuar ka bërë që të dy palët, edhe klientët edhe kompanitë e ndërtimit të jenë më të pafavorizuar në tregun e kredisë”- shprehen drejtues të shoqatës së ndërtuesve. Çmimet, thonë ata, ‘kanë ngelur në vend ose ka pasur një ulje prej 5 %.’ Duke iu referuar grafikut mujor, ata shpjegojnë se piku i shitjeve është muaji gusht dhe dhjetor, muaj në të cilët dhe fluksi i emigrantëve arrin pikun. “Gjithmonë gushti ka nivele më të larta shitje krahasuar si me qershorin dhe shatorin. Çmimet, sqarojnë ata kushtëzohen nga lënda e parë. Drejtuesit e shoqatës së ndërtuesve shpjegojnë se oferta dhe uljet që bëhen, janë në varësi të zonave ku ndodhen banesat. Qendra e ish bllokut rezulton se ka më shumë shitje. Çmimet në këtë zonë variojnë nga 1300 – 1800 euro metri katror. Zona e ‘Astirit’ sipas të dhënave nga agjencitë imobiliare rezulton se ka një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin 2009 prej 35 %. Në këtë zonë çmimet variojnë nga 600 – 650 euro për metër katror, ndërsa një vit më parë çmimet po në këtë zonë kanë qenë 480 – 500 euro për metër katror. Po ashtu edhe ‘Zona e Freskut’ ka rritje në shitje me 15 % në lidhje me vitin e kaluar.‘Shitje më të larta rezultojnë në zonën e Astirit, Kasharit, Dajtit sepse çmimet janë më të lira’ – konfirmojnë agjentët imobiliarë në kryeqytet. Sipas ndërtuesve, materialet e ndërtimit kanë pasur një farë rritjeje, sidomos materiali bazë që ka qenë hekuri, i cili dy vitet e fundit ka pasur rritje të konsiderueshme. Gjithashtu ata argumentojnë se janë edhe taksat të cilat nuk ndjehen, dhe ligjet në mënyrë të pavullnetshme e fusin ndërtimin të jetë subjekt i ligjit, që krijojnë kosto.