Shkeljet e Edvinit lënë Tiranën pa plan investimesh

Prefekti i Tiranës Ruzhdi Keçi ka kthyer dje mbrapsht projektbuxhetin e bashkisë së Tiranës, pasi ka gjetur të paktën 5 shkelje ligjore. Mungesa e transparencës për shpenzimet e vitit 2008 dhe detajimi i mangët për 2009-n, një përpjekje korruptive që nuk mund të anashkalohet TIRANE - Buxheti i bashkisë së Tiranës, i pretenduar nga Edvini se u miratua atë natë të trishtë për të, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, nuk është aprovuar nga Prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keci. Megjithëse u mundua të kryejë rolin e sekretarisë së votimit, gjatë procesit, duke numëruar një nga një anëtarët e tij majtistë që të ekzaltuar me kartonët “pro” projektbuxhetit, shijonin në imagjinatat e tyre 14 milionë a ndoshta edhe më shumë, pa destinacion, por fond shtesë, për qëllime të pastra elektorale dhe favorizime e privilegje të koço-buxhetëve, Edvinit tashmë i ka ngelur buzëqeshja në buzë dhe fati i keq vazhdon ta ndjekë nga pas, pasi do t’i duhet të japë llogari për hartimin mediokër të buxhetit dhe dyshimet e qarta për abuzime galoponte. Kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama do ti duhet tashmë që të heqë dorë nga arroganca mungesa e transparencës dhe mospërfillja ndaj kërkesave të pjesës dërrmuese të këshilltarëve për ndryshime në projektbuxhetin bashkisë për vitin 2009. Pas dy votimeve kundër dhe një votimi të dështuar në Këshillin Bashkiak edhe Prefekti i Tiranës Ruzhdi Keçi ka vendosur dje që të rrëzojë planin financiar të Ramës për këtë vit, duke kërkuar kësisoj nga Këshilli rishqyrtimin e buxhetit. Vetë prefekti i Tiranës pohon se buxheti i kryeqytetit për 2009, bie ndesh me ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor në Shqipëri. Kështu që ai është detyruar ta kthejë edhe një herë për shqyrtim këtë draft në Këshillin Bashkiak, së bashku me vërejtjet përkatëse. “Vendimi i Këshillit Bashkiak nr. 1 datë 03. 02. 2009 për miratimin e buxhetit në parim të vitit 2009 dhe buxhetit afat mesëm 2009-2011 nuk është konfirmuar nga prefekti i qarkut Tiranë. Unë nuk e konfirmoj, pesë nenet të ligjit për buxhetin të cilët nuk zbatohen. Procesi i votimit do të mbyllet deri në fund, kjo është një shkelje tjetër”, bëri të ditur Rruzhdi Keçi, prefekt i qarkut të Tiranës. Sipas prefektit të Tiranës, projektbuxheti do t’i kthehet, serish Këshillit Bashkiak, i cili duhet të vendosë nëse do të marrë në konsideratë apo jo, qëndrimin e prefektit. Por në rast se Këshilli nuk do të mblidhet, atëherë çështja mund t’i kalojë dhe gjykatës. “Duhet të mblidhet dhe një herë dhe të marrë në shqyrtim buxhetin, pastaj ligji nuk e detyron Këshillin që në mënyrë obligative të pranojë vërejtjet e Prefektit, Këshilli është i lirë në vullnetin e tij të mos i marrë në konsideratë vërejtjet e Prefektit dhe në këtë rast nëse Këshilli nuk e merr në konsideratë vërejtjen vendimi quhet i mirëqenë, Prefekti s’ka të drejtë të shprehet më, po ka të drejtë që të atakojë me rrugë gjyqësore vendimin”, vijoi Keçi. Prefekti i Tiranës, qëndrimin e tij e ka dërguar në rrugë postare, në bashkinë e Tiranës, gjatë orëve të para të mëngjesit të së enjtes. Prefekti i Tiranës ka marrë më 12 shkurt në zyrën e tij buxhetin e Tiranës, i cili ka mbërritur 7 ditë vonesë nga afati që përcakton ligji. Përveç së tjerash, ky draft ishte refuzuar që të kalohet nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, njëherazi përfaqësues i Lëvizjes Socialiste në këtë këshill. Pak ditë më parë lideri i LSI-së, Ilir Meta ka apeluar ndaj kryebashkiakut Rama që të reflektojë ndaj kritikave sidomos ato që kanë të bëjnë me reduktimin e shpenzimeve për administratën e jashtëzakonshme të bashkisë. Për Metën, Rama është përgjegjësi i vetëm për bllokimin e buxhetit për shkak se “nuk ka ditur që të ndajë pozicionin e Kryetarit të bashkisë nga ai i kryetarit të Partisë Socialiste”. Ndërsa demokratët në vijimësi i kanë kërkuar shpjegime për mënyrën e shpërndarjes së fondeve. Kryeministri Sali Berisha e ka akuzuar kryebashkiakun Rama se kërkon të përdorë 6 milionë euro të këtij buxheti vetëm për fushatën elektorale të Partisë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, në një kohë që ende nuk dihet fati i 8 milion eurove të tjera, shpenzimi i të cilave nuk është detajuar në këtë projektbuxhet. Por përkundër reflektimit, Rama nxjerrë në vijimësi vartësit e tij në bashki dhe PS për të lexuar sulmet dhe akuzat e ashpra dhe tërësish për konsum elektoral ndaj Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta.
...