“Për Shqipërinë dhe shqiptarët ky është ndër momentet më të bukura”

Kryeparlamentarja përshëndet përfundimin e ratifikimit të protokollit të NATO-s
TIRANE - Gjatë seancës së djeshme parlamentare, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshëndeti përfundimin e procesit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe BE. Gjatë fjalës së saj Topalli u shpreh se “koha erdhi, ratifikimi i Protokollit të NATO-s u krye”.
“Shqipëria tani do të jetë partnere dhe aktore në sfidat e sigurisë së kohës sonë. Ky akt i mbylljes së këtij ratifikimi në fakt është afrimi përfundimtarë i anëtarësimit në komunitetin e vetëm të vlerave dhe të interesave të përbashkëta”.
Duke qenë se aspirate e shqiptarëve për anëtarësim të plotë në NATO po përmbushet, kryetarja e Kuvendit u shpreh se “në samitin e ardhshëm në Strasburg dhe në Kehl, në muajin prill, në më pak se dy muaj ne do të kemi nderin dhe fatin të bëhemi si vendet e Evropës, si amerikanët, kanadezët dhe vendet e tjera të mëdha anëtare të Aleancës së NATO-s. Më 17 shkurt të vitit 2009, në më pak se dhjetë muaj nga ftesa e Bukureshtit, parlamentet dhe senatet e 26 vendeve anëtare të Aleancës Transatlantike kanë votuar pro Shqipërisë, kanë votuar Shqipërinë e ndryshuar, kanë votuar kontributin e shqiptarëve, të burrave e grave të vendit tonë, kanë votuar reformat që kanë transformuar vendin. Na kanë besuar që nga Deti i Veriut në Detin Mesdhe, Oqeani Atlantik e më gjerë”.
Topalli përcolli një falënderim të veçantë për vendin mik SHBA, duke u shprehur se “një falënderim i veçantë i shkon Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dhomës së Madhe të Turqisë, të gjitha Dhomave të Ulëta dhe Senateve të vendeve të Bashkimit Evropian”.
Kryeparlamentarja Topalli falënderoi të gjithë forcat politike shqiptare dhe institucionet përkatëse të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në këtë proces, kur deklaroi se “së bashku me kolegët e tjerë të të gjitha forcave politike këtu në Kuvend, ne kemi qenë fatlum që të bëjmë avokatinë e vendit tonë, në çdo vend, në çdo parlament, në çdo Senat ku kemi takuar të gjithë deputetët dhe Senatet, anëtarët e Komisioneve të Jashtëm, të Mbrojtjes apo të komisioneve të tjera”.
“Kemi takuar kryetarët e të gjitha parlamenteve dhe senateve të këtyre vendeve, kemi bërë me mijëra kilometra, ndoshta me qindra mijëra milje dhe ia kemi dale”, tha Topalli. Duke bërë një kronologji të shkurtër të gjithë këtij procesi Topalli deklaroi se “natyrisht që po të llogarisim kohën se kur ka filluar procesi i ratifikimit në parlamente dhe senate, do të shohim se ky ratifikim është bërë në një kohë rekord, të paimagjinueshëm. Vetëm në gjysmë të shtatorit ka filluar ky proces. Prandaj, edhe një herë më lejoni që në emrin tuaj t’i falënderoj të gjithë: Hungarinë, Letoninë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lituaninë, Poloninë, Rumaninë, Bullgarinë, Sllovakinë, Turqinë, Norvegjinë, Estonin, Danimarkën, Çekinë, Spanjën, Gjermaninë, Italinë, Britaninë e Madhe, Kanadanë, Francën, Portugalinë, Luksemburgun, Islandën, Slloveninë, Greqinë, Belgjikën, Holandën”, citoi Topallli.
Në përfundim Topalli falënderoi edhe njëherë të gjithë “për kontributin që keni dhënë dhe në emrin tuaj do të dëshiroja të falënderoja të gjithë kolegët në këto parlamente dhe senate, vendet e kësaj Aleance që bënë të mundur mbylljen e këtij procesi në një kohë rekord. Për Shqipërinë dhe për shqiptarët ky është ndër momentet më të bukura”, u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.