E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli feston për NATO-n me gratë e Durrësit



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka zhvilluar dje një takim me gra dhe të reja të qytetit të Durrësit. Në një entuziazëm të jashtëzakonshëm, gratë, vajzat, nënat e studentet e qytetit të Durrësit mbushën, si asnjëherë, pallatin e sportit “Ramazan Njala”.
Gratë durrsake shprehën vlerësimin dhe kënaqësinë e tyre të madhe për ngjarjen historike të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si një mesazh shprese, inkurajimi dhe mbështetjeje ndaj reformave të maxhorancës së djathtë për një Shqipëri që po ndryshon. Kryetarja e Kuvendit, duke iu drejtuar mijëra grave e studenteve durrsake, u shprehu atyre mirënjohjen për besimin që ato dhe gjithë gratë shqiptare i dhanë rrugëtimit të vështirë të ndryshimit të Shqipërisë, reformave në ngjitjen e vendit tonë. “Ne gratë, ne nënat, me hyrjen e Shqipërisë në NATO, në këtë aleancë të madhe të lirisë, ndihemi më të forta. Ndihemi më të forta jo thjesht për ne, sesa për fëmijët tanë, ndihemi më të sigurta dhe më dinjitoze jo thjesht për ne, sesa për fëmijët tanë dhe për fëmijët e fëmijëve tanë”, - tha kryetarja e Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit i siguroi gratë durrsake për thellimin e reformës në sektorin e shëndetësisë. “Përfshirja e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore do të thotë rritje e cilësisë së shërbimit për qytetarët. Kjo është edhe arsyeja përse ne kemi vendosur që reforma e plotë në shëndetësi të jetë prioriteti ynë kryesor gjatë mandatit të ardhshëm, duke dëshmuar se vëmendja jonë është te ju dhe te shëndeti juaj”, – u shpreh kryetarja e Kuvendit.

Patozi, tur parazgjedhor në komunat e Vlorës

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, në kuadër të një turi parazgjedhor, “tur bilanci e bashkëbisedimi”, zhvilloi dje tre takime në komunat Vllahi, Armen dhe në bashkinë Selenicë të qarkut Vlorë. Përballë një pjesëmarrjeje masive, Patozi u ndal në disa nga arritjet e Partisë Demokratike në katër vjet qeverisje, me epilog “ngritjen e flamurit të Shqipërisë në Bruksel përkrah 26 vendeve të NATO-s”.
“Ne sot mund të themi se kemi kapërcyer vetveten”, - u shpreh ai, duke iu referuar vitit 2005, vit në të cilin premtimet e Partisë Demokratike, për shumëkënd mund të dukeshin si të parealizueshme. “Ajo për të cilën ju kërkuam votën katër vjet më parë, sot është e prekshme për gjithkënd. Ne arritëm të bënim realitet dyfishimin e pensioneve të ulëta në fshat, dyfishimin e rrogave të infermierëve, mjekëve dhe të arsimtarëve, uljen e taksave, investimet në infrastrukturë e luftën e zhvilluar kundër korrupsionit. Të gjitha këto të arritura me përkushtim, devotshmëri, detyrim ndaj votës së besuar, me punë dhe vetëm me punë”,- tha Patozi.
Për Patozin një përkushtim i tillë për të përmirësuar jetën e çdo banori në Shqipëri bën që Partia Demokratike dhe përfaqësuesit e saj të ballafaqohen kudo e me çdokënd. “Ndaj ne shkojmë të sigurt drejt një mandati të dytë, drejt një mandati tjetër qeverisës”, - është shprehur Patozi.

9 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›