E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqejnë Pierce & Robinson

Paul Pierce e ka fituar garën për tre pikë, në spektaklin tradicional të basketbollit, All Star Weekend, që mbahet çdo vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në rundin e parë janë eliminuar Danilo Gallinari, Channing Frye e kampioni në fuqi Daequan Cook, që nuk arritën më shumë se 15 pikë, nga 30 të mundshme potenciale.

Më pas, mbetën në lojë dy veteranët, Paul Pierce e Chaucey Billups dhe Rookie Stephen Curry, që gjuajti më së bukuri. Por, në fund më i sakti doli të ishte basketbollisti i Boston Celtics, Pierce, me 20 pikë, përpara Curry, 17. përpos trofeut, Pierce rrëmbeu edhe një premi prej 35 mijë dollarësh.

Rekordi i gjuajtjeve për tre pikë megjithatë mbetet i paprekshëm: ai i takon dyshes Hodges e Kapono, që në të kaluarën kishin shënuar 25 pikë, nga 30 të mundshme.

Kurse, basketbollisti i New York Knicks, Nate Robinson, e ka fituar për herë të tretë rresht garën e ngulitjeve ekzibicionale, përkundër gjatësisë së tij: 170 cm. Ai është shpërblyer nga mesazhet (sms) të publikut, që e ka preferuar me 50 për qind të votave, përpara Rookie të Toronto Raptors, DeMar DeRozan. Në ngulitjen fituese, Robinson e përplas topin për tabelë dhe mbetet në ajër, derisa e kap atë dhe e qon “te veni”.

Steve Nash e fitoi garën me pengesa (gjuajtje, pasim dhe kalim), derisa treshja e Texas, Dirk Nowitzki, Kenny Smith (ishte edhe komentator televiziv) e Becky Hammon (nga kampionati i femrave Wnba), e fituan garën “shooting star competition”, që kishte të bënte me gjuajtjet nga mesi i fushës.

Programi ishte i njëjtë edhe këtë vit, por ishte zbavitëse të shiheshin yjet e NBA duke e shfaqur talentin e tyre.

Por, NBA nuk shquhet vetëm me pozitivitet. Ngase, komisionari i kësaj lige, Stern, ka komunikuar se NBA do t’i humbasë 400 milionë dollarë këtë vit për shkak të rritjes së madhe të çmimeve, andaj vazhdimi i kontratave kolektive të basketbollistëve, që u skadojnë në vitin 2011, do të jetë i vështirë dhe i dhimbshëm.

Mirëpo, All Star Game është zbavitje dhe në mesnatën e së shtunës pritej që këtë ndeshje ekzibicionale ta përcillnin në stadiumin e Cowboys rreth 90 mijë shikues, rekord absolut i këtij sporti. Kriza, për një ditë do të presë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›