E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrin, e s`japin

Besimi që po tregojnë kosovarët në bankat komerciale, duke i ruajtur parat në to, as për së afërmi nuk po u kthehet nga bankat. Përderisa depozitat në vazhdimësi janë në rritje, bankat në vazhdimësi kanë shtrënguar duart sa i përket kredidhënies.

Vetëm gjatë vitit 2009, depozitat janë rritur për 300 milionë euro. Zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës thonë se depozitat nëpër bankat komerciale në vitin 2009 kanë shënuar rritje prej 21.43 për qind, apo 1.7 miliard euro prej 1.4 miliard sa ishte vitin 2008.

“Depozitat në sektorin bankar kanë shënuar rritje në Kosovë. Bankat komerciale kanë pasur një rritje prej 21.43 për qind të totalit të depozitave. Shuma e depozitave në bankat komerciale ka arritur 1.7 miliard euro”, ka thënë për agjencinë Kosovapress, Nexhat Kryeziu, zëvendësguvernator për mbikëqyrje dinanciare në BQK.

Megjithatë, gjërat duken pak me ndryshe kur është në pyetje kreditimi. Sipas të dhënave të BQK-së, gjatë vitit 2009, ka pasur rënie të kredidhënies të bankat komerciale për 9 për qind. Valentin Toçi, ekonomist në BQK, pati thënë se ekonominë e vendit gjatë këtij viti e ka përcjellë rënia e eksporteve, rënia e investimeve të huaja direkte, rënia e dërgesave të emigranteve dhe ngadalësim i rritjes së kredidhënies.

Në anën tjetër, për ekspertët dhe njohësit e sektorit bankar, rritja e depozitave në kushte normale do të thotë edhe rritje e kreditimit.

Njohësi i sektorit bankar në Kosovë, Flamur Keqa, tha se është në interes të vetë bankave që një përqindje sa më të madhe të depozitave ta investojnë në formë të aseteve kreditore, për shkak se sjellin më shumë të hyra. Sipas tij, është shumë më rendësi që besimi midis klientëve dhe bankave të jetë reciprok.

“Nëse ky mosbesim vazhdon për një periudhë me të gjatë kohore, mund të vijë momenti kur edhe klientët humbim durimin për t’ua besuar mjetet e tyre bankave”, thotë Keqa.

Keqa shton se ky zvogëlim i besimit të bankave ndaj klientëve vërehet posaçërisht në rënien e kreditimit.

Ndryshe në raportin e BQK-së thuhet se me faktin se norma e rritjes së kredive vazhdon të jetë më e vogël, reflekton kujdesin e shtuar të bankave kundrejt performancës më të dobët të ekonomisë së vendit gjatë vitit 2009.

Edhe Keqa pajtohet se rregulla për rritjen e kredive kur rriten depozitat nuk vlen gjithnjë, posaçërisht kur performanca ekonomike e vendit përkeqësohet, megjithatë thotë se duhet të gjendet një mes pasi klientëve dikur u humbet durimi.

“Tkurrja e portfolios kreditore është padyshim rezultat i gjendjes në ekonominë kosovare por në një masë të mirë reflekton përkeqësimin e portfolios kreditore të bankave”, tha ai.

Sipas tij, tkurrjes se kredive i ka ndihmuar edhe rritja e kredive joperformuese, që sipas të dhënave të BQK-së, kreditë e këqija janë rritur nga 3.1 në 4.1 për qind.

Ndërkaq, niveli i kamatave, sipas ekspertëve, nuk ndikohet shumë nga rritja e depozitave dhe në këtë drejtim është pothuajse i parëndësishëm.

Megjithatë, niveli i ulët i kamatave pasive mund të jetë indikator dhe shtytje për kamata më të ulëta aktive apo të kreditimit, sepse kostoja e burimit të mjeteve është me e ulët.

Në raportin e Bankës Qendrore shihet se vetëm nga janari deri në shtator të 2009-s, vlera e tërësishme e kredive të sektorit bankar ndaj ekonomisë vendore ishte 1.28 miliard euro që paraqet një rritje vjetore prej 13.2 për qind. Megjithatë, kjo rritje është 23.8 për qind më e vogël se sa ishte në shtator të vitit 2008 kur rritja ishte raportuar 37 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›