Stërvitin pa trajner
Më në fund, edhe Ferizaj i ka nisur përgatitjet për garat e stinorit pranveror të Superligës së Kosovës në futboll, por pa kryetrajnerin Naim Sojeva.
Në fakt, futbollistët e ekipit bardh e kaltër kanë pranuar t’i nisin stërvitjet, pasi të enjten kanë marrë premtime nga zyrtarët e Komunës së këtij qyteti se shumë shpejt do ta ndihmojnë këtë klub për ta tejkaluar krizën e thellë financiare.
Kështu tha kapiteni i ekipit, Burim Çerkini, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm për t’i bindur bashkëlojtarët që t’i nisin stërvitjet.
“Të gjithë futbollistët iu kanë përgjigjur ftesës sime si kapiten për t’i nis stërvitjet, sepse edhe ashtu jemi vonuar shumë. Zyrtarët e Komunës na kanë premtuar se deri të hënën do të na gjejnë një donator, në mënyrë që të riorganizohet klubi”, deklaroi Çerkini për Express.
Ai tha se zyrtarët komunalë u kanë premtuar futbollistëve se deri të hënën do t’i shlyejnë të gjitha borxhet ndaj tyre prej stinorit vjeshtor.
Por, nëse zyrtarët komunalë nuk e realizojnë premtimin deri të hënën, atëherë gjasat janë të mëdha që Ferizaj të mos i nisë fare garat e stinorit pranveror. “Nëse nuk e përmbushin premtimin, më nuk do të dalim në stërvitje”, tha kapiteni ferizajas.
Njëherësh Çerkini është ai që po i udhëheq stërvitjet e ekipit, pasi kryetrajneri Naim Sojeva assesi nuk po pranon të punojë në rrethanat e vështira në të cilat gjendet aktualisht Ferizaj.
“Kam informacione se është duke u punuar intensivisht rreth një riorganizimi në kryesi të klubit. Deri të hënën pritet të riorganizohet kryesia. Më pas do të bisedoj me kryesinë rreth objektivave dhe rreth organizimit të ekipit, e më pas do të dihet se a do të vazhdoj apo jo me Ferizajn”, u shpreh Sojeva.
“Nuk mund të punoj në asi rrethana që më kanë përcjellë gjatë stinorit vjeshtor, sepse nuk mund ta marr përgjegjësinë para qytetarëve ferizajas për ta udhëheq ekipin e tyre drejt mbijetesës në asi kushtesh. Është e pamundur të mbijetohet në asi kushte. Por, nëse klubi riorganizohet dhe përmirësohen rrethanat, atëherë jam i gatshëm të vazhdoj punën”, theksoi Sojeva.
Ferizaj tash e një kohë të gjatë po përballet me një krizë të madhe financiare dhe është skuadra e fundit e Superligës që i ka nis përgatitjet për stinorin pranveror. Pjesën e parë të kampionatit ky ekip e ka përmbyllur duke u pozicionuar në vendin e fundit të tabelës, me vetëm 13 pikë të tubuara.