E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkelqen Partizani, zhgenjen Dinamo. Hapet lufta për titull

Partizani me fitoren 1-0 ndaj Dinamos kryesuese jo vetëm që rihapi qartë luftën për titull, tashmë diferenca midis dy kryesuesve është vetëm tre pikë, por mori edhe revanshin ndaj humbjes së fazës së parë me blutë (0-2).
Goli i zgjuar i Gjergji Muzakës në minutën e 21-të (asist i Elis Bakajt) dhe një tjetër i anuluar i Arbër Abiliajt në minutën e 51-të (pas goditjes së lirë të Elis Bakaj) treguan qartë dominimin gjatë gjithë 90 minutave të skuadrës së Hasan Likës. Anulimi i golit nga anësori Arben Pregja ishte shumë i dyshimtë, pasi sulmuesi i Partizanit, Arbër Abilaliaj nuk ishte as në pozicion jashtë loje dhe as shkaktoi faull në zonë.
"Gabimi njerëzor" i gjyqtarëve provokoin edhe protestën e bankinës së kuqe dhe lojtarëve te anësori Pregja, ndërsa nga tribuna VIP, presidenti i Partizanit, Albert Xhani, reagoi i nervozuar me anulimin e golit.
Partizani, i mbështetur edhe nga tifozeria e zjarrtë (dhuroi spektakël me flamurin gjigant, dominoi dhe adminsitroi takimin nga minuta e parë dhe mund të kishte shënur më shumë se një gol, kur i pati të gjitha mundësitë me anësorin e talentuar Elis Bakaj, kur topi i goditur nga lojtari i Kombëtares u ndalua në vijën fatale nga kroati Dario Bodrusic i Dinamos.
Blutë e Agim Canaj ishin hija e atij ekipi që ka kryesuar me meritë kampionatin, teksa tekniku po vuan shumë largimin në Norvegji të ish-sulmuesit Sabino Plaku.
Në fund të takimit edhe gati pesë minuta lojë për sulmuesin e Partizanit, Enco Malindi, i rikther nga testimet me Slavian e Sofjes.
Partizani vazhdoi pathyeshmërinë e ndeshjeve në shtëpi, tashmë në 11 takime (7 fitore, 4 barazime), ndërsa Dinamo pësoi humbjen e parë në transfertë në 11 ndeshje të luajtura deri tani.
Dinamo, shumë e zbehtë në derbin e dytë radhazi pas atij me Tiranën (0-0), nuk arrin të fitojë prej tre javësh, madje pa gol në 270 minuta.
Kriza në vijën sulmuese të Dinamos është e qartë, ku golashënuesi më i mirë i saj, kroati Pero Pejic nuk e gjen golin prej 360 minutash, madje vija e parë blu ka shënuar vetëm 2 gola në katër ndeshjet e këtij viti.
Kjo ishte edhe fitorja e 46-të e Partizanit në 128 takime historike me Dinamon, që ka fituar nga ana e saj 37 ndeshje (45 barazime).
Javën e ardhshme, në ditën e fundit të fazës së dytë Partzanin e pret një tjetër derbi me Tiranën (fazën e parë takimi u mbyll 0-0), ndërsa Dinamo do të përballet me Shkumbinin në Tiranë (faza e parë 0-0), ku do të përcaktohet edhe shorti i fazës së tretë.

Partizani-Dinamo 1-0
Kronika
PJESA E PARË
1' Topi i parë luhet nga Partizani.
3' Në minutën e 3-të mesfushori i avancuar i Partizanit, Elis Bakaj dha sinjalin e parë.
15' Pejic tentoi në minutën e 15-të, por gjuajtja e sulmuesit kroat përfundoi paksa mbi vendin ku bashkohen dy shtyllat.
19' Gjergji Muzaka goditi në të 19' nga rreth 40 metra, por silura e mesfushorit të Partizanit u bllokua nga portieri i Dinamos, Elvis Kotori.
20' Pejic u gjend në zonën e Partizaznit, dylyftoi me portierin Shehi, duke shkaktuar faull.
21' 1-0 për Partizanin. Gjergji Muzaka shënoi golin e parë me kokë për Partizanit, pas asistit të Elis Bakaj. Për Muzakën ky ishte goli i tetë në kampionat. Goli i shtatë që pëson Elvis Kotori.
41' Bekim Kuli tentoi nga larg, por goditja ishte pa problem për portierin Shehi.
44' Eleandro Pema (Dinamo) u ndëshkua me karton të verdhë
45' Vetëm një minutë shtesë për pjesën e parë nga gjyqtari Sokol Jareci.
45'+1Mbyllet pjesa e parë. Partizani, më i qartë, Dinamo, shumë e zbehtë.
PJESA E DYTË
46' Topi i parë luhet nga Dinamo
48' Bledar Devolli (Partizani) ndëshkohet me karton të verdhë për faull ndaj Dario Bodrusicit.
49' Bekim Kuli ekzekutoi një goditje të lirë por pa rrezik.
50' Senegalezi Diop ndërhyn në mënyrë të gabuar ndaj Elis Bakaj.
51' Elis Bakaj ekzekutoi goditjen e lirë, topi përfundoi në rrjetë, por anësori Pregja sinalizoi gjyqtarin Jareci, kur dukej qartë që goli ishte i rregullt. I cuditshëm ky anulim goli. Tipike "gabim njerëzor" gjyqtari, që provokon edhe protestën e bankinës së kuqe dhe lojtarëve te anësori Pregja. Presidenti i Partizanit reagon nga tribuna VIP i nervozuar me anullimin e golit.
56' Zëvendësim Dinamo. Largohet Kuli-hyn Goran Vincetic
62' Veprime të organizuara të Partizanit, më agresive
63' Zëvendësim Dinamo. Largohet Pema-hyn argjentinasi Hanush
66' Paulin Dhembi kapet në pozicion jashtë loje nga anësori Arben Pregja, kur mesfushori i Partizanit dukej se ishte në pozicion të rregullt. Nervozohet trajneri Hasan Lika.
67' Loja është e ndalur, Muzaka i dëmtuar.
70' Zëvendësim Partizani. Largohet Muzaka-hyn Karapici
73' Zëvendësim Dinamo. Largohet Diop-hyn Ferra
75' Bakaj humbet një rast të madh, goditi nga shumë afër, por topi u përplas në trupin e një mbrojtësi të Dinamos, Dario Bodrusicit. Mundësi e mirë për golin e dytë.
78' Karton i verdhë për Nertil Ferra (Dinamo) për faull ndaj Devollit
80' Trajneri i Dinamos, Agim Canaj del i nervozuar, i pakënaqur nga loja e lojtarëve të tij.
85' Partizani administron i qetë lojën. Tifozët shpalosin flamurin gjigant në shkallët e stadiumit në tribunën D3, atë karshi.
87' Zëvendësim Partizani. Largohet Abilaliaj-hyn Enco Malindi.
88' Elis Bakaj goditi lehtë më kokë bredna zonës, por pa problem për Kotorin.
90' Karton i verdhë për Goran Vincetic (Dinamo), faull ndaj kapitenit Paulin Dhembi
91' Zëvendësim Partizani. Largohet Dhembi-hyn Hasmetaj
92' Mbyllet ndeshja. Partizani fiton 1-0. hapet kampionati. Tani diferenca Dinamo-Partizani është vetëm tri pikë: Dinamo, 42, Partizani, 39.

ATMOSFERA – E gjitha e kuqe. Flamuri gjigant i "demave të kuq" dhe banderola të shumta në karshinë e "Qemal Stafës": "Forca demat e kuq, ultras Partizani", "Demi i kuq", "Partizani, legjenda e futbollit", por edhe një banderolë në kujtim të djalit të presidentit Xhani, "Skëndër Xhani në zemrat e tifozëve". Edhe tifozët blu kishin rreshtuar një numër të madh banderolash: "Dinamo-1950-Shqipëri", "Dinamo, shkollë e futbollit shqiptar", "Forca Dinamo", por dhe "Elvis Kotori, akrobati" e "Sokol Ishka, xixëllonja"

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›