E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqen Romela Begaj, e gjashta

Autori i Lajmit: red.
Peshëngritësja shqiptare Romela Begaj bëri një parqitje të pëlqyeshme, duke zënë vendin e gjashtë në Lojërat Olimpike në peshën deri në 58 kg, çka është rezultati i parë i madh në peshëngritjen për femra, duke marrë në konsideratë dy rezultatet e arritura më parë për shtangistët meshkuj: Ymer Pampurin, rekord olimpik në “Munih 1972” dhe Ilirjan Sulin, vendi i pestë në “Sidnej 2000”. Begaj, një nga peshëngritëset më të talentuara dhe e para femër e kualifikuar direkt në “Pekin 2008”, ngriti në total 216 kg: 98 kg në shkëputje dhe 118 në shtytje, duke lënë pas peshëngritëse polake, rumune e ekuadoriane. Në stilin e shkëputjes, Begaj arriti të njëjtin rezultat sa dhe vendi i dytë e i tretë, por pesha më e madhe trupore (57.56 kg), e ka renditur në vendin e katërt pas koreanoveriores O Jong, (57.15) dhe tajlandezes Uande Kameiam (57.25). Begaj në stilin e shkëputjes kaloi fillimisht në provën e parë 95 kg, në të dytën bëri po mirë me 98 kg, por kur shtanga ishte 100 kg, muskujt e Romelës nuk e përballuan dot atë. Në stilin e shtytjes, Begaj e nisi me 110 kg, duke e kaluar me lehtësi. Edhe në dy provat e tjera me 115 kg dhe 118 kg, ish-artistja e cirkut të Tiranës, e trajnuar nga Hektor Shaqiri, nuk pati asnjë problem. Ky është dhe rezultati më i mirë i olimpistëve shqiptarë deri tani në “Pekin 2008”. Në këtë garë, Kina fitoi një tjetër medalje të artë në peshëngritje, kur kampionia Chen Yanqing, mbrojti titullin e saj në peshën 58 kg për femra duke ngritur në total 244 kg. Medaljen e argjendtë e fitoi rusja Marina Shainova (227 kg në total) dhe atë të bronzit e fitoi peshëngritësja nga Koreja e Veriut, O Jong Ae me 226 kg në total. Shqipëria ka dhe dy peshëngritës të tjerë në garë: Erkand Qerimaj dhe Gerti Trashën.

Rezultatet e Romela Begajt
Pesha 58 kg
Në stilin e shkëputjes: 98 kg
Në stilin e shtytjes: 118 kg
Në total: 216 kg
Vendi në Olimpiadë: 6

Ylli Pango të shikojë vlerësimin që u bën bota sportistëve tanë

Shefi i delegacionit olimpik shqiptar, Fidel Ylli, e cilëson si sukses rezultatin e arrirë sot nga peshëngritësja shqiptare Romela Bega. Në një intervistë, Ylli i bën thirrje për më shumë vlerësim ndaj sportistëve tanë. Shefi i delegacionit olimpik shqiptar, Fidel Ylli, tha nga Pekini se rezultati i Romelës është sukses jo vetëm për të, por për të gjithë sportin shqiptar. “Romela na prezantoi me kaq dinjitet në një aktivitet kaq madhor si Olimpiada e Pekinit” ,- tha Ylli, i cili shtoi se Romela realizoi objektivin e saj. Shefi i delegacionit olimpik i bëri thirrje ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, i cili është i pranishëm në Pekin, që të ketë më shumë vemendje për sportistët tanë. “Bëjnë mirë të shikojnë vlerësimin që u bën bota sportistëve tanë, të cilët janë në nivel botëror”.
Peshëngritësi Gerti Trasha sot në peshën 69 kg

Peshëngritësi shqiptar Gerti Trasha do të konkurrojë sot në peshën 69 kilogramë në Lojërat Olimpike Pekin 2008 , që nisën më 8 gusht në kryeqytetin kinez.
Vendlindja: Elbasan
Datëlindja: 31.01.1988
Kategoria: Peshëngritje
Gjatësia: 165 cm
Pesha: 69 kg
Pjesëmarrja, titujt: Viti 2008, Kampionati Evropian, pesha 69 kg, rezultati 140 kg shkëputje, 164 shtytje, 304 kg në total. Viti 2007, Kampionati Botëror për të rinj në Pragë (Çeki), pesha 69 kg, rezultati 143 kg shkëputje vlerësohet me medalje bronzi, 166 kg shtytje, 309 kg në total. Viti 2006, Kampionati Botëror në Kinë për të rinj, pesha 62 kg, rezultati 133 kg shkëputje merr titullin nënkampion bote, 152 kg shtytje, 285 kg në total.
Viti 2005, Kampionati Evropian për të rinj në Trencing (Sllovaki), pesha 62 kg, rezultati 123 kg shkëputje (rekord evropian), 148 kg shtytje, 271 kg total, merr titullin kampion Evrope, vlerësohet me 2 medalje ari dhe 1 bronzi). Viti 2004, Kampionati Evropian në Stavanger (Norvegji), pesha 62 kg, rezultati 120 kg shkëputje, 150 kg shtytje, 270 kg në total, merr titullin nënkampion Evrope, vlerësohet me 1 medalje ari dhe 2 argjendi. Viti 2003, Kampionati Evropian për moshat nën 17 vjeç në Dortmund (Gjermani), pesha 56 kg, titulli kampion Evrope, vlerësohet me 2 medalje ari dhe 1 bronzi.
Ky lajm është publikuar: 12/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›