Tjetër masakër në Siri. Gazetari britanik: Rebelët na çuan në pritë, që të na vrisnin
Të paktën 17 persona mendohet se janë vrarë gjatë natës në Siri, në qytetin ku nisën trazirat. Aktivistët thonë se 10 gra janë mes viktimave në qytetin Deraa, në jug të vendit.
Vrasjet e fundit vijnë në një moment kur gazetari britanik i Channel 4 News, Alex Thompson pretendon se është dërguar në pritë nga rebelët sirianë, në mënyrë që ai dhe kolegët e tij të vriten dhe në këtë mënyrë të diskreditohet presidenti Bashar Al Assad.
Dje pati sërish përplasje të armatosura në Homs dhe në Damask, ndërkohë që dy palët nuk po pranojnë armëpushimin e propozuar nga OKB.
Natën e shkuar, korrespondenti i Channel 4, Alex Thomson tha se një grup nga Ushtria për Çlirimin e Sirisë i kishte dërguar atë në zonën e zjarrit. Gazetarët e vdekur janë gjë e keqe për regjimin e Damaskut, thotë Thompson, që ka përshkruar tmerrin kur u orientua drejt një prite.
Komentet e tij vijnë në një moment kur monitoruesit e OKB kanë arritur më në fund në zonën e Mazraat Al Qubeir ku janë vrarë dy ditë më parë 78 burra, gra e fëmijë. Dyshohet se ata janë vrarë nga milicia e Assad.
Megjithatë në momentin kur vëzhguesit ndërkombëtarë mbërritën aty, nuk kishte asnjë trup. Në rrugë kishte gjurmë të makinave ushtarake. Madje vëzhguesit u qëlluan me armë që të mos arrinin sa më shpejt në vendngjarje.
I dërguar i OKB, ish- Sekretari i Përgjithshëm, Kofi Annan ka pranuar për herë të parë se plani prej gjashtë pikash nuk po implementohet.