Protestojnë 300 tregtarët: “Nuk shkojmë te tregu me baltë”
BERAT - Një urdhër i dhënë dy ditë më parë nga Bashkia e Beratit për lëvizjen e të gjithë tregtarëve të tregut industrial të këtij qyteti në një tjetër vend, i ka detyruar tregtarët të protestojnë dje që në orët e para të mëngjesit përpara institucionit të Bashkisë. Rreth 300 tregtarëve që shisnin deri para pak ditësh në këtë treg kanë vazhduar revoltën e tyre për rreth 3 orë, ku kanë kërkuar kushte më të mira tregtimi në çfarëdolloj tregu të ri ku bashkia mendon t’i transferojë ata. Por ata janë shprehur se tregu industrial i caktuar nga bashkia është i papërshtatshëm, pasi nuk ka tezga dhe është i mbuluar me baltën që shkaktohet nga zbarkimi i ujërave të zeza. Tregtarët kanë pohuar se nëse bashkia do të përpiqet t’i lëvizë ata me forcë nga vendet ku aktualisht funksionon ky treg, ata do t’i përshkallëzojnë protestat e tyre deri në grevë urie. Një përfaqësi e tregtarëve është takuar me kryebashkiakun Fadil Nasufi, i cili pas shumë diskutimeve ka rënë në një konsensus me tregtarët. Ai u ka premtuar se nuk do të lëvizin nga tregu aktual deri në krijimin e tregut të ri, i cili do të ketë të gjitha kushtet e kërkuara.
E. P.
Dy nëna braktisin foshnjat pas lindjes
Menjëherë sapo kanë sjellë në jetë foshnjat e tyre, i kanë braktisur duke u vënë në kërkim nga policia. Ngjarjet e rënda ndodhen gjatë 24 orëve të fundit në maternitetet e Durrësit dhe të Vlorës. Të dyja nënat, kur janë paraqitur në dyert e spitalit gjinekologjik për të lindur, kanë deklaruar të dhëna të rreme, duke vështirësuar ndjeshëm hetimet për gjetjen e tyre tashmë që janë larguar. Rasti i parë i braktisjes së foshnjës këtë vit është regjistruar në Maternitetin e Durrësit. Pas lindjes së foshnjës gruaja është larguar nga spitali, ku ishte regjistruar me emrin Marjeta Hoxha, 39 vjeçe, banore në zonën e Plazhit. Mjekët e spitalit kanë bërë kallëzimin në polici, ndërsa sqarojnë se nuk mund të kërkojnë dokumente identiteti nga gratë që vijnë të lindin, pasi trajtohen si raste urgjente, në të cilat ligjërisht jepet ndihma mjekësore e më pas kryhen formalitetet e tjera. Identiteti i rremë, dhënë nga një person që nuk ekzistonte as në Plazh e as në Durrës, ka vështirësuar punën e policisë, e cila ka kërkuar edhe ndihmën e kolegëve në rrethet e tjera të vendit, për të mundësuar gjetjen e gruas që braktisi fëmijën e saj. Në një situatë të ngjashme janë ndodhur edhe mjekët e Maternitetit të Vlorës. Një 19-vjeçare, sapo ka sjellë në jetë foshnjën, është zhdukur pa lënë gjurmë. Ajo ishte deklaruar se e ka emrin Gjenovefa Bregu, me banim në qytetin e Fierit, por askush nuk e di me saktësi nëse është emër i vërtetë ose jo. Foshnjat e braktisura, pas kryerjes së formaliteteve, do të dorëzohen në brefotrofët e Vlorës dhe të Durrësit, ndërsa duket se mëmësia e tyre do të jetë e rreme për shkak të mashtrimit të atyre që i sollën në jetë.
1 Mars 2008