Dhjetëra fëmijë braktisin shkollën, nuk kanë lekë për libra
Të dhëna alarmante në një shkollë 9-vjeçare në Berat. Flet drejtoresha e “Qemal Çekinit”, Dhurata Gojka: “Ja shkaqet”
Eneida Petova
BERAT – Merr përmasa alarmante braktisja e sistemit të arsimit të detyrueshëm nga fëmijë të shtresave të varfra në qarkun e Beratit. Vetëm në shkollën 9-vjeçare “Qemal Çekini” në lagjen Uznovë të qytetit të Beratit, kanë lënë shkollën rreth 15 fëmijë. Kjo statistikë është konfirmuar nga drejtoresha e këtij institucioni, Dhurata Gojka, gjatë një prononcimi për gazetën. Tashmë, përveç fëmijëve me prindër romë, janë edhe kategori të tjera që po i bashkëngjiten fenomenit shqetësues në arsimin shqiptar të këtyre viteve, ku shkak kryesor rezulton të jetë varfëria e familjeve. Burimet pohojnë se prindërit nuk kanë mundësi që me të ardhurat që marrin të garantojnë blerjen e librave dhe pajisjeve të tjera shkollore. Drejtoresha Gojka pohon se është premtuar nga bashkia se për nxënësit që ende janë pa libra për shkak të pamundësisë për t’i blerë ato, këto libra do të blihen nga ky institucion, por nxënësit janë ende në pritje të përmbushjes së këtij premtimi.
Shkaqet e braktisjes së shkollës
Gojka thekson se për këtë vit shkollor një pjesë e nxënësve nuk mundën t’i blinin librat dhe të gjendur përballë këtij fakti, ata u detyruan të vinin me hope në fillim të vitit shkollor, për mos të ardhur fare më pas në bankat e shkollës. Ajo pohon se gjatë vitit arsimor 2007-2008 kishte 20 fëmijë që nuk frekuentuan procesin mësimor. Tashmë ky numër ka zbritur në 13. Drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Qemal Çekini”, thotë se për këtë vit, një nga objektivat kryesore të trupës pedagogjike ka qenë dhe ngelet ulja e numrit të nxënësve që braktisin shkollën. Por, me gjithë përpjekjet e bëra, fatkeqësisht ende ngelen jashtë bankave të shkollës nxënësit e saj". Drejtoresha Dhurata Gojka pohon se janë shumë arsye njëherësh ato që ndikojnë në braktisjen e shkollës nga nxënësit e saj, pasi kemi nxënës të larguar familjarisht jashtë shtetit, pasi familjet e tyre nuk kishin mundësi që të siguronin një jetë normale. Kemi të tjerë që nuk përballojnë dot blerjen e librave, kemi nxënës që preferojnë të punojnë që të vegjël për të ndihmuar ekonomikisht familjen e plot arsye të tjera, por në fund të fundit të gjitha këto shkaqe kanë si bazë varfërinë.
Braktisja, një problem për komunitetin
Drejtoresha e shkollës shprehet se braktisja e shkollës nga nxënësit është një nga plagët e dhimbshme të shoqërisë shqiptare, që fatkeqësisht nuk po gjen shërim. “Edhe pse ka një tendencë të vogël uljeje të braktisjes së shkollës, prapë fenomeni ngelet shqetësues”, - thotë Dhurata Gojka. Sipas saj, perspektiva e të ardhurave familjare të prindërve të këtyre nxënësve ngelet e njëjtë, ndaj shpesh fëmijët, me qëllim që t’u vijnë në ndihmë prindërve, gjejnë si mënyrën më të mirë largimin nga shkolla. Drejtoresha thotë se gjendja e paqëndrueshme ekonomike nuk garanton përmirësim të situatës.
Në një raport të UNICEF-it, "32,8 për qind e fëmijëve, ose 293 mijë fëmijë në Shqipëri jetojnë nën nivelin e varfërisë. Natyrisht që ky numër kur shprehet në shifra është e ndjeshme, por është akoma më e ndjeshme nëse mendohet që për këta fëmijë, pasoja e parë është aksesi në sistemin e arsimit. Sigurisht nuk bëhet fjalë për pjesëmarrjen në shkollë, por bëhet fjalë edhe për pjesëmarrjen në një arsim cilësor, që ata të shkojnë në shkollë dhe të përfitojnë nga ky arsimim, të kenë mundësi që të përfundojnë arsimin fillor dhe të mesëm në Shqipëri. Kësaj situate i shtohet edhe fakti se mbi 2000 fëmijë të familjeve të ngujuara nuk kanë mundësi të ndjekin arsimin e detyrueshëm për shkak të një faji që ndodhet jashtë tyre.
1 Mars 2008