Tiranë, plagoset me thikë në rrugë transvestiti “Anxhela”
TIRANE - Një transvestit u plagos me thikë mbrëmjen e djeshme, në qendër të kryeqytetit, pranë lulishtes së Parkut “Rinia”. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00, kur transvestiti i njohur si “Anxhela”, është goditur me thikë në stomak, në momentin kur po lëvizte nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në drejtim të sheshit pranë Sahatit, ku qëndrojnë pjesëtarët e tjerë të grupit. Efektivat e Komisariatit nr.1 dhe nr.2 shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe personi i njohur me emrin “Anxhela” u transportua në Spitalin Ushtarak. Policia dhe mjekët thanë se i plagosuri është në gjendje pa rrezik për jetën. Grupi hetimor që shkoi në vendin e ngjarjes tha se nuk është bërë ende i mundur identifikimi i autorit të ngjarjes dhe as gjetja e thikës së përdorur në sulm. Oficerët e policisë pritet që të marrin në pyetje transvestitin “Anxhela”, sapo të jetë përmirësuar gjendja shëndetësore. Dyshimet e para të policisë, lidhen me ndonjë prishje të mundshme pazari mes transvestitit dhe personit që e ka sulmuar, por policia nuk përjashton mundësinë që personi që ka goditur me thikë “Anxhelën”, mund të jetë homofobik. Policia ka shoqëruar disa dëshmitarë, si dhe miqtë e tjerë homoseksualë të “Anxhelës”, për t’i marrë në pyetje rreth ngjarjes. Burimet sqaruan se në momentin kur është plagosur, homoseksuali ka qenë i pashoqëruar nga persona të tjerë. Rreth një vit më parë, më 17 shtator 2009, një transvestit mbeti i vrarë me thikë, pranë Drejtorisë së Burgjeve në Tiranë nga një shtetas kosovar, i cili u arrestua vetëm disa orë pas ngjarjes. I dyshuari për vrasjen e transvestitit, Petrit Muça, i njohur me emrin “Kristina”, në asnjë moment nuk e ka pranuar se është ai autori i vrasjes, e megjithatë 38-vjeçari nga Kosova, Sebejdin Hoxha, pritet që së shpejti të marrë vendimin nga gjykata me akuzën e “vrasjes me dashje”. e.d