E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkëndija elektrike rrezikon zonën naftëmbajtëse

Autori i Lajmit: red.

Një qark i shkurtër elektrik në një sipërfaqe toke në Berat rrezikon seriozisht përhapjen e flakëve në zonën nr. 44 naftëmbledhëse të Beratit. Ngjarja ndodhi dje në orët e mesditës në komunën Poshnje të Beratit. Nga flakët janë rrezikuar seriozisht shtëpitë e fshatit. Burime pranë Repartit Zjarrfikës në qytetin e Beratit bënë të ditur se “kanë qenë banorët e fshatit që ndodhen pranë zonës naftënxjerrëse, të cilët, sapo kanë pikasur rënien e zjarrit, kanë kërkuar ndihmë. Mjetet zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar flakët dhe më tej i kanë shuar ato”. Sipas të njëjtave burime, mësohet se punonjësit zjarrfikës kanë punuar për gati dy orë për fikjen e zjarrit që kishte përfshirë gjithë arat e një fermeri, duke i djegur rezervat ushqimore të bagëtive. Sipas punonjësve zjarrfikës, rjedhjet e naftës bruto në sipërfaqe kanë ndikuar në përhapjen me shpejtësi të flakëve. Por ndërhyrja në kohë ka shmangur përfshirjen e një pusi nga flakët e zjarrit. Ndërkohë nga hetimet e para të policisë mësohet se shkak i rënies së zjarrit është bërë një shkëndijë elektrike. Amortizimi i rrjetit të energjisë që përcillej për në pusin e naftës rrezikoi dhjetëra puse nafte.
Ky lajm është publikuar: 31/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›