Vendorët: Rrëshqitjet rrezikojnë Beratin
BERAT - "Rrëshqitjet e tokës po rrezikojnë qytetet dhe komunat e Beratit. Rrugët kanë dalë jashtë funksioni, ka shtëpi të shkatërruara dhe qindra tokë të përmbytura". Këto fakte raportuan dje gjatë një konference për shtyp drejtues të pushtetit vendor në Berat, si dhe deputeti i Beratit, Erjon Braçe. "Situata në qarkun e Beratit tashmë ka dalë jashtë kontrollit nga rrëshqitjet e tokës, në të gjitha komunat dhe lagjet muzeale të qytetit. Dhjetë komuna të Beratit janë të izoluara plotësisht, mes tyre e Vërtopit, Sinjës, Tërpanit, Kozares, Perondisë e Velabishtit. Janë shkatërruar 135 kilometër rrugë rurale, janë dëmtuar 50 banesa dhe qindra hektar tokë të gërryera dhe përmbytur nga ujërat e shtratit të lumit Osum". Braçe ka vazhduar më tej, duke pohuar se një numër nxënësish kanë mbetur pa mësim, pasi autobusët e furgonët nuk kalojnë dot për nga komunat në qytet, pasi rrugët ndodhen plotësisht të bllokuara. Në këtë takim u tha se të gjithë drejtuesit e pushtetit janë dorëzuar para këtyre vështirësive, pasi u mungojnë fondet. "Qeveria i ka kthyer kurrizin qarkut të Beratit, përballë kësaj situate tejet të rënduar. Vështirësitë nuk kanë ngjyra politike, por duhen zgjidhur urgjentisht të gjitha njëlloj. I bëjmë thirrje Sali Berishës që të dërgojë urgjentisht një grup ekspertësh për të inspektuar këtë qark dhe të dalë me konkluzione të veçanta". Nga ana e tij, kryebashkiaku Nasufi e lidhi rëndimin e kësaj gjendjeje me mosmiratimin e buxhetit 2010 në Këshillin Bashkiak. "Berati rrezikohet nga ujërat e lumit Osum, i cili po shkatërron dhe argjinaturën. Shembja e argjinaturës do të krijojë një katastrofë të vërtetë, pothuajse më të madhe se ajo e Shkodrës. Mosmiratimi i buxhetit na ka vënë para vështirësive. Ne si bashki nuk kemi fonde që të ndërhyjmë për të kryer punime në ato zona që rrezikohen seriozisht", u shpreh Nasufi. Kryetari i Komunës Vërtop, Flamur Balliu, u shpreh se 6 fshatrat e kësaj komune janë pa energji, pa bukë, pa ilaçe, ndërsa nxënësit nuk shkojnë në shkollë. Të njëjtën gjendje pohuan dhe kryekomunarët e tjerë. d.xh