E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të hënën nis plotësimi i formularëve A-1 dhe A-1Z



Lëndët me zgjedhje

Ditën e hënë nis plotësimi i formularëve A-1 dhe A-1Z në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Të gjithë maturantët që do të marrin pjesë në provimet e Maturës Shtetërore, do të nisin plotësimin e formularëve për të caktuar dy lëndët me zgjedhje ku duan të ndjekin studimet e larta për vitin akademik 2008-2009. Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve (AVA), bëri të ditur në se, me fillimin e plotësimit të formularëve, do të jenë gati dhe koeficientet përkatës për secilën nga 14 lëndët me zgjedhje. Universitet publike në të gjithë vendin kanë dorëzuar propozimet konkrete për koeficientet e këtyre lëndëve, ndërsa brenda javës, ato do të miratohen. Sipas Rregullores së Provimeve të Maturës Shtetërore, afati për dorëzimin e formularit të plotësuar është data 10 mars. Në rast se maturantët e vjetër duan të ruajnë rezultatet e viteve të shkuara, mund t’i specifikojnë ato me kujdes në formularin A-1 Z për njërën, ose të dyja lëndët, për të rikonkurruar për shkollat e larta, por pa u përfshirë në provimet me zgjedhje të këtij viti për studimet e larta të 2009–2010. Tek Formulari A1 duhet të shkruhet emri i DAR ose ZA, emri i qytetit ose fshatit, si dhe emri i shkollës. Në bazë të tabelës nr. 1 (Indekset e profileve/degëve), gjendet indeksi i degës ku ju duhet të shënoni numrin që përfaqëson dega që ju po ndiqni ose keni ndjekur. Më pas shënoni ID që keni pasur në Maturën Shtetërore 2007, 2008. Ndërsa për nxënësit që duan të vazhdojnë studimet jashtë shtetit shënojnë një kryq (x) në kutinë përbri (po). Kur nxënësi ka mbaruar studimet para vitit 2009, qarkohet shkronja (U). Ndërkohë që tek lëndët dhe notat e shkallëzuara D1 dhe D2 është e vlefshme për nxënësit që kanë dhënë provimet me detyrim në Maturën Shtetërore 2006, 2007, 2008. Për nxënësit që kanë mbaruar maturën para vitit 2006, do të vendosen notat ekuivalente me provimet e detyruara. Tek lista e lëndëve me zgjedhje duhen qarkuar dy lëndët me zgjedhje që do të jepni provim dhe numrat që u korrespondojnë. Në këtë formular duhet shkruar emri i DAR ose ZA, emri i qytetit ose fshatit si dhe emri i shkollës. Ndërkohë që bazuar në tabelën nr. 1, duhet të gjeni indeksin e degës dhe shënoni numrin që përfaqëson dega që ju po ndiqni ose keni ndjekur. Shënohet ID që keni pasur në Maturën Shtetërore 2006, 2007, 2008. Nëse jeni pajisur dy a më shumë herë me ID, shënohet ID e vitit të fundit. Për nxënësit që duan të vazhdojnë studimet jashtë shtetit shënojnë një kryq (x) në kutinë përbri (po). Gjithashtu, duhen shënuar lëndët me zgjedhje që do të mbarten dhe nëse lëndët e mbartura janë dhënë provim më shumë se një herë, duhet të shënoni vitin e fundit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›