Shkodër, OSSH: Debitorët, 72 orë për të shlyer detyrimet
SHKODER - OSSH u jep 72 orë afat debitorëve që të shlyejnë detyrimet e mbartura, në të kundërt atyre do t’u ndërpritet furnizimi me energji elektrike dhe do të paditen penalisht. Drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje pohuan dje se nuk do të ketë tolerime për ata që nuk paguajnë detyrimet, që janë si rezultat i faturave të papaguara. Nuk bëhet fjalë vetëm për pagesat mujore në vijimësi, por edhe për borxhet e mbartura prej vitesh. “Gjatë viteve 2009-2010 niveli i arkëtimit të faturave të energjisë elektrike ka ardhur duke u rritur. Por, nëse shohim statistikat e viteve më parë, ka shumë borxhe që nuk janë shlyer. Nuk mund të lejojmë që të trashëgojmë ndër vite një situatë të tillë”, pohohet nga burimet zyrtare të OSSH-së në Shkodër. Nisur nga ky fakt është bërë listimi i të gjithë debitorëve familjarë apo bizneseve private që nuk kanë shlyer detyrimet kryesisht nga viti 2007 e në vazhdim, vit ky kur OSSH-ja ka blerë edhe pjesën më të madhe të aksioneve nga shteti Shqiptar. Mësohet se grupe të OSSH-së do të ndahen në zona të caktuara dhe do të bëjnë njoftimin e subjektit apo familjes debitore, duke kërkuar prej tij të nënshkruajë më parë. Pas vënies në dijeni bëhet paralajmërimi i shlyerjes së debitit brenda 3 ditëve. r.d